Presidenti Meta reagon pas vrasjes së efektivit të policisë në Lezhë: Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, prioritet absolut!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me vrasjen e oficerit të krimeve të Lezhës.

“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.

Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit!

Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.

Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!”- shkruan Meta.