Presidenti Ilir Meta, paralajmëroi më herët se gjatë ditës së sotme do të propozonte iden konkrete për referendumin.
Në një prononcim për televizionin “A2”, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka shpjeguar se si procedohet në rastet kur kërkohet një referendum.
“Kodi Zgjedhor aktual nuk ka asnjë parashikim për mënyrën se si zhvillohen referendumet. Ka një dispozitë kalimtare që thotë se në kodin e vjetër zjedhor do të qëndrojnë në fuqi derisa të miratohet një ligj për zhvillimin e referendumit. Për momentin, do të ecim me dispozitat e kodit të vjetër zgjedhor. Në lidhje me kërkesën e Presidentit, nuk e di se çfarë lloj referendumi kërkohet sepse Kodi Zgjedhor parashikon detyra të ndryshme për KQZ në varësi të referendumit. Në rastin e referendumit kushtetues, KQZ ka detyra më të vogla.
KQZ shikon kërkesën nëse është në përputhje me ligjin apo jo, bën formularin tip dhe ia jep komisioneve nismëtare që të mblidhen 50 000 firma. Pasi mblidhen këto firma, KQZ shikon nëse janë të rregullta dhe ia përcjell kërkesën Gjykatës Kushtetuese nëse është apo jo në përputhje me Kushtetutën. Kjo gjykatë ka 60 ditë afat për të shqyrtuar kërkesën. Pas 60 ditësh, kërkesa i kalon Presidentit”,- tha Skënderi./apel.media