Presidenti Meta bën thirrje për tubim/ “Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve”

Presidenti Ilir Meta vazhdon të insitojë në idenë e mbajtjes së një referendumi popullor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se referendumi është një e drejtë Kushtetuese dhe Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit.

Më tej ai u bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen në tubimin e 8 dhjetorit.

Sipas presidentit Meta, ka ardhur koha për ti thënë mjaft një pakice që keqqeveris.

“Të dashur qytetarë!

Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”!

Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit.

Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi!

Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998.

Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre.

Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor!

Shqipëria e Para!”-shkruan Meta./apel.media