“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë”/ Rama në takimin online të “Open Balkan”: Ne nuk do të jemi në BE vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë

Kryeministri Edi Rama ka shprehur vendosmërinë se “Open Balkan” do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve. Në fjalën e tij online nga Tirana në takimin e radhës të nismës së “Balkanit të Hapur”, pasi nuk ishte i pranishëm fizikisht, Rama u shpreh po zbatohet procesi i Berlinit.

“Nuk varet nga ne të bindim dikë që “Open Balkan” është i hapur. Duhet të ecim përpara, nuk mund të presim. Varet nga gjithkush që të marrë vendimet e veta. Ne thjeshtë po zbatojmë procesin e Berlinit. Gjithkush të vendosë në mënyrë të pavarur cfarëdo do për vendin e vet”, tha Rama.

Ai theksoi se as supozimi që iniciativa nuk është e hapur për anëtarë të tjerë nuk është i vërtetë. Sipas Ramës, Ballkani i Hapur është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.

Megjithatë, Rama shprehi pakënaqësi për faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë disa vjet presin nga Brukseli datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë. Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë” tha Rama.

Sipas vlerësimeve të Ramës, Ballkani i Hapur mund të ndihmojë që të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ‘problemet mund të adresohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë’. Kryeministri i Shqipërisë tha se do të ishte shumë i lumtur kur të dy partnerët, BE-ja dhe SHBA-ja do të deklaronin që Ballkani i Hapur është ‘iniciativë e mirë’.

Në këtë takim bie në sy mungesa e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moskë.