Premier League: Derbi i Londrës mbyllet pa fitues, por me gola dhe spektakël

Mbrëmja e raundit të 24-t të Premier League, u mbyll me supersfidën midis Chelsea dhe Arsenal, e cila u mbyll me rezultatin e barabartë 2-2. Një ndeshje e luajtur me shumë zemër nga të dyja skuadrat në të dyja repartet, ofensiv dhe defensiv, duke dhuruar spektakël dhe gola.

Pjesa e parë nuk shkoi ashtu siç duhet për Arsenal. Në minutën e 26′ David Luiz shkaktoi një ndërhyrje të rrezikshme brenda në zonë, duke i dhuruar një penallti “Bluve të Londrës” dhe duke u ndëshkuar me karton të kuq. Penalltia u ekzekutua në mënyrën e duhur nga Jorginho në minutën e 28′, i cili e dërgoi u tregua gjakftohtë duke realizuar dhe duke dërguar skuadrën e tij në avantazh.

Ndeshja u duk se kishte mbaruar, pasi asgjë nuk ishte në favor të Arsenal-it, as rezultati dhe as numri i lojtarëve. Por në minutën e 63′ , ishte sulmuesi 18-vjeçar Martinelli i cili solli golin e barazimit për “Topçinjtë”, i cili bëri një sprint të pabesueshëm për rreth 60 metra.

Minutat e fundit kishin akoma më shumë ritëm, pasi Chelsea i Lampard dëshironte të përfitonte nga inferioriteti numerik i kundërshtarit, ndërsa Arsenal po mbrohej me të gjithë forcat për të siguruar një pikë.

Në minutën e 84′ ishte mbrojtësi dhe kapiteni i Chelsea-s, Azpilicueta i cili e dërgoi rezultatin në 2-1, por ndeshja nuk kishte mbaruar akoma. Vetëm 3 minuta më pas, një tjetër mbrojtës, por kësaj radhe i Arsenal, Hector Bellerin, me një super gjuajtje me të brendshmen nga jashtë zone, e vulosi takimin në 2-2.

Një zhgënjim nga djemtë e Lampard, të cilët dështuan 2 herë për të mbrojtur avantazhin. /apel.media