“Prapaskenat e takimit”, ambasadorja Yuri Kim braktis mbledhjen e donatorëve pasi Beqaj merr fjalën

Një incident që i shpëtoi shumëkujt ndodhi paraditen e djeshme, që kishte për protagoniste ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Këtij të fundit tashmë i është besuar nga Rama, Agjensia që do të menaxhojë fondet e donatorëve, për të cilën tha dje se ka filluar punë prej 3 ditësh.

Në momentin që Beqaj mori fjalën në konferencën e organizuar nga Ministria e Brendshme, ambasadorja amerikane u largua në mënyrë të beftë nga takimi, duke lënë të habitur edhe Bledi Çuçin që ishte ulur në krah të saj.

Regjia e Ministrisë së Brendshme u kujdes që largimi i Yuri Kim të mos transmetohej live, ndërkohë që edhe në fund të takimit, nuk pati një fokusim të të gjithë të pranishmëve. Kim shfaqet në një moment e vërejtur, duke mbyllur dosjen e saj dhe më pas largohet, e shoqëruar nga stafi i saj.

Burime nga ambasada thanë për mediat se Kim ishte larguar për shkak të ndryshimit të axhendës, pasi fjala e Beqajt nuk kishte qenë e parashikuar që të mbahej. Kjo e ka gjetur të papërgatitur ambasadoren e cila në mënyrë të paprecedentë duhet thënë ka zgjedhur të largohet nga takimi.