PR përcakton kandidatët për qarkun e Fierit, Mediu “i prerë” me Bashën: Nuk bëjmë pazar me PD, Rama lider i korruptuar

Partia Republikane përcakton 16 kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet e 25 Prill në qarkun e Fierit.

Gjatë fjalës së tij, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu theksoj se gjendja në Shqipëri është shumë e rëndë dhe se përgjegjësi është Edi Rama dhe regjimi i tij i korruptuar. Sipas Mediut, me Edi Ramën në krye edhe për 4 vite të tjera, Shqipëria do të shkonte në një pikë që është vështirë për t’u kthyer.

“Edi Rama ka një qëllim, pushtetin dhe vetëm pushtetin, nuk i intereson as edhe një shqiptar, madje as edhe një rilindas.

E keqja vetëm shkatërron. Tetë vjet shkatërrim shteti, të institucioneve demokratike, shkatërrim të lirive dhe të drejtave. Tetë vjet papunësi, largim masiv të shqiptarëve. Tetë vjet Europa ka qenë kundër Edi Ramës për shkak të krimit dhe korrupsionit.

Duhet të presim dhe katër vite të tjera? Kjo do t`a çonte Shqipërinë në një moment që do të ishte e vështirë për t`u rikthyer. Do t`a çonte kombin në një moment shumë të vështirë për t`u rindërtuar dhe për të bërë atë që është më e mira.

Lirinë, jetën, ndërtimin e lumturisë, na i ka falur dhe na i ka dhënë Zoti dhe ne nuk mund t`i lëmë peng të Edi Ramës apo kujtdo lideri politik të një regjimi të korruptuar, se kemi një përgjegjësi të madhe përballë fëmijëve tanë, të ardhmes së tyre, kemi përgjegjësi të madhe përballë prindërve tanë, për atë që ata kanë bërë për ne. kemi përgjegjësi të madhe përballë vetes sonë, në qoftë se besojmë se jemi njerëz të zotë dhe të aftë.

Prandaj besoj që Partia Republikane është parti e vlerave dhe krijon me Partinë Demokratike një mozaik të jashtëzakonshëm, të vlerave politike të së djathtës”, tha Mediu.

Përsa i përket mardhënieve me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 Prillit Mediu tha se:

“Unë dua mundësinë për të konkuruar, për të kontribuar çdo republikan, në çdo qendër votimi, nga Vermoshi e deri në Konispol, të gjithë së bashku, demokratë dhe republikanë, për të fituar.

Ka shumë sot që shtrojnë pyetjen;

 Cfarë ka ndodhur ndërmjet nesh, Parti Republikane – Parti Demokratike?                                

A po bëjmë Pazar?

A po kërkojmë më shumë sesa na takojnë?

Unë dua marrëdhënie të Partisë Republikane me Partinë Demokratike, në mënyrë që gjithësecili nga ju, qytetar i thjeshtë, republikan e demokrat, të ketë vlerë në zgjedhje.

Politika jonë, regjimi i korruptuar që kemi përballë, manipulimi i vazhdueshëm i jetës sonë, manipulimi që Edi Rama do që t`i bëjë zgjedhjeve, kërkon që republikanë, demokratë, njerëz të ndershëm, të bashkohen në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ne nuk mund t`a vëzhgojmë të keqen, ne duhet të përballemi me të keqen.”