Policia e Tiranës kërkon rihapjen e dosjes për protestën e 21 janarit

Policia e Tiranës ka kërkuar rifillimin e hetimeve për protestën e 21 janarit 2011.

Mësohet se policia ka dorëzuar në prokurori letër kërkesën, ku i kërkohet prokurorisë riinspektim hetimor.

Burime për mediat bëjnë me dije se Policia e Tiranës kërkon riinspektim për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes,  Erald Boshas,  Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu kërkohet që të ketë riekspertim për predhën që është gjetur në trupin e Aleks Nikës, si dhe të ripyetën personat që kanë dijeni me ngjarjes kryesisht ish-efektivë të gardës.

Ndër të tjera kërkohet që të rishikohen pamjet filmike që janë të fokusuara tek Zuver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe të plagosurit.

Kujtojmë që nesër mbushen 10 nga 21 janari i kobshëm i 2011-ës kur u vranë me duar në xhepa te bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues.

Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika mbetën të ekzekutuar nga shteti por ndonëse ka pafund pamje foto, video, audio që provojnë vrasjen shtetërore, ende sot nuk ka njeri pas hekurave.