Policia e Tiranës jep detaje mbi sherrin e ndodhur tek shkolla “Çajupi”: U konfliktuan për një vend qëndrimi në lokal

Policia e Tiranës ka dhënë detaje rreth ngjarjes së ndodhur dje para shkollës ‘Çajupi’. 

Njoftimi i plotë nga Policia:

Tiranë

Dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 5 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Edmond Faja, 39 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit Elton Kasaj, 30 vjeç, Enrik Qenami, 41 vjeç, Enea Kovaçi, 32 vjeç., Ndriçim Qefalia, 43 vjeç, Laert Duro., 41 vjeç, si dhe shpall në kërkim shtetasin Alvaro Toptani 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) shtetasja E. Q., 46 vjeçe dhe D. T., 53 vjeçe. Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre, konkretisht shtetasit E. F., E. Q., 41 vjeç, N. Q., 43 vjeç dhe L. D., 41 vjeç (të afërmit e shtetases E. Q.) dhe shtetasit E. K., 32 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe A. T., 27 vjeç (të afërmit e shtetases D. T). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. F. (i arrestuar) ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.