Policia alarmon, çdo 2 ditë në Tiranë vidhet një makinë luksi/ 150 makina humbën në Korrik

Makinat e luksit janë gjithnjë nën ‘lupën’ e hajdutëve të cilët i ndryshojnë targat, i shesin pjesët, i modifikojnë apo ato më të shpejtat ua shesin vrasësve me pagesë në mënyrë që t’i përdorin në ate...

Makinat e luksit janë gjithnjë nën ‘lupën’ e hajdutëve të cilët i ndryshojnë targat, i shesin pjesët, i modifikojnë apo ato më të shpejtat ua shesin vrasësve me pagesë në mënyrë që t’i përdorin në atentatet e ‘shënjestrave’ të tyre.

Është pak a shumë kjo korniza se çfarë ndodh me një bishë luksi në Shqipëri kur raportohet e vjedhur… Është pothuajse e pamundur të arrish ta identifikosh sërish e jo më të gjesh vendndodhjen e saj… Policia e Shtetit raporton se vetëm gjatë muajit korrik 150 makina luksi u vodhën dhe gjetja e vendndodhjes së tyre ka qenë pothuajse e dështuar. Në Tiranë vidhet një makinë thuajse çdo dy ditë. Kryeqyteti mban vendin e parë për vjedhjen e makinave të luksit që kapin vlerën 50-100 mijë euro. Në ‘lupën’ e hajdutëve janë kryesisht emigrantët që kthehen nga jashtë me makina të shtrenjta të tipit “Mercedes-Benz”, “Range Rover” “BMW” dhe “Audi”.

Kur kryhet vjedhja automjeti kryesisht gjendet i parkuar  në zona pa ndriçim dhe kamera sigurie dhe identifikimi i autorëve është thuajse i pamundur. Zonat ku kanë ndodhur vjedhjet më të shpeshta në kryeqytet janë  “Zogu i Zi”, “Stacioni i Trenit”, rruga “Myslym Shyri”, “ish-Blloku” dhe “21-Dhjetori”. Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu pranoi se ka një shtim të rasteve për vjedhjet e automjeteve nga viti në vit. Me sa duket edhe policia është dorëzuar para një fenomeni të tillë dhe e ndien veten të paaftë për të identifikuar autorët!/old.apel.media