Polemika e statujave në New York

Në mes të protestave kundër-racizmit që kanë vazhduar në Shtetet e Bashkuara, disa statuja polemike janë rrëzuar nga lokalitetet ose janë hequr me forcë nga protestuesit. Një nga ato do të jetë statuja e Theodore Roosevelt në qytetin e Nju Jorkut që ndodhet para Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore që nga viti 1939. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva na ka përcjell këtë material.

Kjo statujë e Presidentit të 26-të amerikan Teodor Rusvelt që shërbeu nga viti 1901 deri në vitin 1909 portretizon Rusveltin mbi një kalë me një amerikan vendas, dhe një afrikano-amerikan që qëndrojnë përkrah tij.


Për ata që e kundërshtojnë atë … statuja sugjeron kolonializëm dhe supremaci.

Është një nga pak statujat në Nju Jork që protestuesit duan të hiqen përfshirë një të Kristofor Kolombit.

“Kristofor Kolombi i ngritur në piedestal dhe i glorifikuar në këtë mënyrë është i ngjashëm me Rusveltin mbi kal. Ashtu si ai duhet zbritur nga kali, duhet ta heqim edhe Kolombin nga piedestali. Ai nuk e përfaqëson atë që dikur ishte përfaqësuese e kësaj toke – ky ishte ishulli Manna-hata!”, thotë Jabal El Tariq me partinë New Black Panther.

“Shumë njerëz e shohin si ofendim. Sepse ne bëjmë sikur e zbuluam këtë vend të parët – këtu kishte njerëz për mijëra vjet! Ne nuk e zbuluam atë, e morëm”, thotë Bryson Warren, shkencëtar.

Megjithatë, Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo – djali i guvernatorit të ndjerë Mario Cuomo i cili vjen nga një familje e njohur italo-amerikane e Nju Jorkut dëshiron që statuja të qëndrojë.

“Unë i kuptoj ndjenjat për Kristofor Kolombin dhe disa nga veprimet e tij, të cilat askush nuk do t’i mbështeste. Por statuja përfaqëson dhe sinjalizon vlerësimin për kontributin italiano-amerikan në New York. Prandaj, për këtë arsye, unë e mbështes atë”.

Vetë njujorkezët, megjithatë, nuk janë të prerë për heqjen e monumenteve si këto.

“Secilin prej tyre, nuk më prish punë. Në se nuk je me ne – je kundër nesh dhe duhet të ikësh. Martin Luther King? Obama. Mund ti heqim të gjithë! Dua të them, mënyra si u ndërtua Amerika ishte e gabuar – duhet të fillojmë prapë nga e para”, thotë Leah Heflin, banore e Nju Jorkut.

“Mendoj se ky është një vendim absolutisht i tmerrshëm! Duke qënë i lindur në Bashkimin Sovjetik, ku statujat dhe historia u ribënë, jam absolutisht kundër këtyre llojeve të vendimeve”, thotë Sergey Troianovsky, banor i Nju Jorkut.

Duke qenë se qyteti i Nju Jorkut është i kësaj madhësie, ka edhe shumë statuja të tjera që do të vihen nën mikroskop – nëse duhet të qëndrojnë ose duhet të hiqen.

Edhe para polemikave të tanishme Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut dhe bashkëshortja e tij kanë kërkuar të vendosin më shumë statuja që portretizojnë gra dhe njerëz me ngjyrë. /VOA