Po transportonte 13 emigrantë të paligjshëm në makinë, mes tyre fëmijë, arrestohet në Mirditë i riu nga Kosova

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë edhe të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në mënyrë të kundërligjshme emigrantë, me automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Zgjedhja e gabuar”.

Gjatë këtij operacioni, në aksin rrugor “Rrëshen – Thirrë”, në zonën e fshatit Ndërfushas, Mirditë, shërbimet e Policisë Mirditë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin R. K., 26 vjeç, banues në Kosovë, në të cilin, gjatë kontrollit, janë gjetur 13 emigrantë nga vendet MENA, disa prej tyre të mitur, të cilët, 26-vjeçari po i transportonte në mënyrë të kundërligjshme, kundrejt pagesës.

Në vijim të veprimeve shtetasi R. K. është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.