Përdorimi i terminaleve virtuale për pranimin e pagesave online po shënon një rritje të ngadaltë gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator numri i terminaleve POS virtuale arriti në 182, në rritje me 4% që nga fillimi i vitit.
Terminalet POS virtuale mundësojnë pranimin e pagesave elektronike, zakonisht me karta, për të lehtësuar kryerjen e pagesave nëpërmjet faqeve të internetit. Ky produkt është i lidhur me platformat e tregtisë elektronike të bizneseve, por mund të përdoret edhe nga institucionet për të mundësuar pranimin e pagesave online për shërbimet publike.
Numri i POS-eve virtuale në Shqipëri shënoi një rritje të ndjeshme në periudhën 2020-2021, i nxitur nga efektet e pandemisë. Nga 99 POS-e virtuale aktive në fund të vitit 2019, ky numër arriti në 175 në fund të vitit 2021. Ndërkohë, këtë vit rritja duket se është ngadalësuar ndjeshëm, duke evidentuar, ndër të tjera, edhe zhvillimin ende të dobët të tregtisë elektronike në vend, krahasuar me tregje të tjera. Megjithë shtysën që i dha pandemia sektorit, sërish transaksionet e e-commerce përgjithësisht dominohen nga pagesat cash në dorëzim.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, aktualisht vetëm katër nga 12 banka tregtare në vend e ofrojnë shërbimin e e-commerce (shërbimi i lidhur me POS-et virtuale).
Numri ende shumë i vogël i POS-eve virtuale dëshmon se tregu është i nënzhvilluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, për vitin 2021 vepronin afërsisht 119 mijë biznese aktive, ndërsa numri i POS-eve virtuale është vetëm 182, ose afërsisht një për 650 biznese.
Pranimi i pagesave online është në një stad ende shumë të prapambetur edhe për shërbimet publike. Prej disa vitesh, tarifat për disa për shërbime publike mund të paguhen online nëpërmjet platformës qendrore e-albania. Por, përveçse kjo mundësi ofrohet për një numër të kufizuar shërbimesh, kryerja e pagesave shpeshherë shfaq probleme të natyrës teknike.
Megjithëse në fillim të këtij viti Kryeministri kritikoi sektorin bankar për përpjekje të pamjaftueshme në drejtim të dixhitalizimit, drejtuesit e bankave shprehen se janë institucionet publike që nuk tregojnë interes për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
Në mbledhjen e fundit e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Guvernatori Sejko tha se, prej muajit maj, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AKSH-i dhe sistemi bankar po bashkëpunojnë ngushtë, me qëllim krijimin e të gjitha alternativave të mundshme për kryerjen e pagesave në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike.
Me gjithë prapambetjen relative të Shqipërisë për sa i takon pagesave elektronike, përdorimi i pagesave me kartë në terminalet POS të pagesave paraqitet në rritje të vazhdueshme. Të dhënat e bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2022, pagesat e kryera nëpërmjet terminaleve POS arritën në 35.6 miliardë lekë, shifër kjo më e madhe krahasuar me vlerën e shënuar gjatë të gjithë vitit 2021 (34.9 miliardë lekë). Megjithatë, statistikat nuk ofrojnë të dhëna të veçanta për vlerën e pagesave të kryera nëpërmjet POS-eve virtuale./monitor