Platforma e medias sociale Parler ngre padi kundër Amazonit

Platforma e medias sociale Parler ka ngritur padi ndaj kompanisë Amazon, pasi u përjashtua nga shërbimi i kompanisë për operimin e faqeve elektronike.

Duke e cilësuar përjashtimin “një goditje për vdekje”, Parler tha se Amazoni kishte kryer akte që thyenin rregulloret kundër monopolit, kishte shkelur kontratën me firmën Parler si dhe kishte ndërhyrë në marrëdhëniet e biznesit mes kësaj firme dhe klietëve të saj.

Në aktpadi, Parler thotë se Amazoni kishte thyer kontratën pa i dhënë njoftim paraprak prej 30 ditësh kësaj firme para se të shuante serverat e saj.
Padia kërkon nga gjykata federale të nxjerrë një urdhër për një pezullim të përkohëshëm të veprimeve të Amazonit ndaj kompanisë Parler.

“Pa shërbimet e Amazonit për operimin e faqes elektronike, Parler ka marrë fund pasi nuk ka si të ketë prani në internet. Vonesat në nxjerrjen e kësaj urdhërese qoftë edhe për një ditë, do të nënkuptonin këmbanat e vdekjes për Parler, ndërkohë që Presidenti Trump dhe të tjerë po e zhvendosin aktivitetin e tyre në platforma të tjera”.

Parler është një platformë e medias sociale mjaft popullore me konservatorë. Kjo platformë u zhduk nga hapësira dixhitale të hënën pasi Amazoni pezulloi serverat e saj duke thënë se postimet në këtë platformë nxisin dhunën.

Kompania Google ka ndaluar që të premten shitjen në shërbimet e saj të aplikacionit të platformës për celularët inteligjentë, duke përmendur postimet që nxisin dhunë.

Një ndalim të ngjashëm të aplikacionit ka vënë në zbatim edhe kompania Apple.

Javën e kaluar, Facebook dhe Twitter pezulluan llogaritë e Presidentit Trump, pasi disa nga përkrahësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit. /VOA