Pezullimi i Berishës nga PD/ Rrëfehet Basha: Kam marrë vendimin më të vështirë, por më të drejtin

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Radari Informativ” deklaroi se nuk pendohet për vendimin që mori për pezullimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi SHBA e shpalli “non grata”.

“Nëse i referoheni vendimit të DASH, qëndrimi im mbetet i njëjtë dhe nuk duhet askush nga demokratët ta komentojë. Sesi jemi ndjejë e kemi bërë të qartë. Vendimi është marrë pas një serie ngjarjesh dhe njihen qëndrimet e SHBA pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe pozitës që u vendos PD.

Ajo që kam thënë është formuluar me kujdesin maksimal, bindja ime, interesi as i Berishës dhe as Bashës nuk do të prevalojë mbi interesat e demokratëve dhe dua ta them, interesat e PD-së që është alternativa e vetme e këtij pushteti të korruptuar.

Bindja im në lidhje me vendimin që kam marrë është që kam marrë vendimin më të vështirë por vendimin më të drejtë. Do të ishte më e lehtë të merrja vendime të tjera, por do të shkonin në dëm të PD-së dhe demokratëve dhe do të ishin më rënduese për Berishën” tha ai.

Por cila është bindja e tij, a ka kryer korrupsion Sali Berisha, ashtu sikur e akuzon SHBA? “Unë nuk kam ndërmend të pështyu mbi asgjë të 16 viteve bashkëpunim me Berishën. Kemi pasur arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, edhe problemet dhe gabimet tona” tha ai.