Petrit Vasili në konderencë për rritjen e çmimit të energjisë: “Përgjegjësi i vetëm është Edi Rama, të përballemi me të”

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka dal pak minuta më parë në një deklaratë për mediat lidhur me situatën e gjendjes së furnizimit me energji dhe çmimeve që Kryeministri tha se do të rriten.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili:

Edi Rama foli për krizë, por e vërteta është që kjo është një alibi për rritje çmimesh

Cila është kriza e vërtetë?
Kriza e vërtetë është propaganda e Edi Ramës, që kërkon të justifikojë rritjen e çmimit për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit.
Rama 24 orë më parë deklaroi në Abu Dabi që Shqipëria do të bëhet eksportuese neto e energjisë dhe një ditë më pas deklaroi krizën energjetike.

Shpërdorimi elektoral dhe korruptiv i vazhdueshëm i OSHEE por edhe i KESH e OST duhet hetuar deri në fund.

Luhatjet e çmimit në bursa janë fenomen i zakonshëm ndaj çdo shtet serioz ndjek situatën, menaxhon me kujdes burimet dhe ndërhyn financiarisht atëhere kur nevojitet, por nuk ndryshon çmimin sa herë lëviz çmimi në bursë.

Rama është avokat vetëm i oligarkëve dhe është vetëm në krah të tyre dhe asnjë herë në krah të qytetarëve.

As oligarkët nuk e bëjnë aq mirë dhe paturpësisht avokatinë e rritjes së çmimeve.

Rritja e çmimeve ndodh kur Shqipëria listohet si vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 30.8% më të varfër se të gjithë vendet përreth Kosovë, Maqedoni, Serbi.

Miliardat e koncesioneve, batërdia me tenderat, me tenderat sekretë qindra milionë euro arbitrazhe të humbura dhe qindra milionë detyrime të papaguara kompanive nuk lejojnë të ketë para për të mbështetur e ndihmuar qytetarët.

Po me se do ta paguajnë shqiptarët e varfër e 30% prej tyre në varfëri të thellë apo për Edi Ramen nuk ka rëndësi se ata do të mbeten në errësirë e fëmijet e tyre do të mësojnë me qiri.

Administrimi i energjisë së këtij sektori jetik për shtetin shqiptar duhet hetuar deri në fund pasi keqadministrimi dhe shpërdorimi po dërrmon ekonominë familjare të shqiptarëve dhe ekonomisë në tërësi.

Shkatërrimi i ekonomisë dhe qindra milionë euro që u përdorën për të blerë vota po bien mbi kurrizin e shqiptarëve.

Ndaj, rruga e vetme është nxjerrja e të vërtetave, denoncimi i mashtrimeve të qeverisë dhe përballja me to.

Ka vetëm një përgjegjës dhe një fajtor, ai është Edi Rama dhe qeveria e tij ndaj përballja është e vetmja alternativë për një qeverisje të kalbur armike të qytetarëve dhe peng e interesave të oligarkëve e trafikantëve.

Vetëm përballja është rruga e vetme asnjë të mos ketë iluzione që kjo qeveri mund të korrigjohet, mund të përmirësohët. Nje qeveri e kalbur nga korrupsioni dhe kriminalizimi nuk shërohet kurrë por vetëm përmbyset.