Përparim Gjeka: Faktet e shpresës së ndryshimit

NDERGJEGJESIMI SE OPOZITA E TAPISE S’BEN ME (II)

Në raport me atmëmëdheun, çdo shqiptar ka vetëm dy zgjedhje; ose jep për mëmëdhe ose merr prej tij me dy ekstremet, heronjtë që kanë dhënë deri dhe jetën për të dhe ata që i kanë marrë, më saktë që i kanë vjedhur arin e shtetit, përvetësuar prona me korrupsion, devijuar buxhete nga ai i shtetit në llogaritë e tyre bankare, shfrytëzuar burime kombëtare për llogari të vetes dhe klanit të tyre, pra duke shkelur mbi djersën dhe gjakun e atyre që japin për Kombin.

Shumica e qytetarëve shqiptarë që punojnë normalisht në biznesin e tyre apo me mëditje dhe paguajnë taksa pa futur hundët dhe duart në buxhetin e shtetit janë heronjtë e kohës sonë që i japin vendit dhe shoqërisë. Gjithë emigrantët që dërgojnë kursimet e tyre në Shqipëri janë heronjtë që e mbajnë në këmbë ekonominë e vendit. Ekonomi e cila po shkon drejt rrënimit dhe borxheve marramendëse nga vjedhja dhe manaxhimi i gabuar i pushtetit.

Domethënë është shumë e qartë se shumica e shqiptarëve që i japin vendit po punon për atë pakicë të pakicës që po i marrin vendit pa bërë një shpërndarje të pranueshme për të gjithë të të mirave materiale që prodhojnë ata që i japin vendit. Edhe në ndonjë regjim diktatorial si përshembull Kina nuk ndodh kjo. Qeveria atje ka shtrire rrjete moderne infrastrukturore në rrugë, hekurudha, aeroporte etj., pra investimet shihen me sy e shijohen nga populli si dhe ka ngritur nga varfëria afër 30% të popullsisë në 10 vitet e fundit, ndërsa ne kemi arritur në mbi 30% të popullsisë nën minimumin jetik vetëm në 10 vitet e fundit sipas Bankes Botërore.

Një nga përparësitë e sistemeve demokratike mbi ato diktatoriale është se kur një qeveri si kjo jona nuk punon mirë dhe gjithë shifrat e tregojnë këtë, ndërron qeverinë me opozitën me votë, por edhe me vullnet popullor të manifestuar me greva e demonstrata të forta e të drejta si ka ndodhur përshembull edhe ne vende me sisteme demokratike si psh. në Greqi, Ukrainë, Sllovaki, etj.

Shqipëria ka disa vite që nuk po bën dot rotacion pozitë-opozitë dhe nëse pozita e ka shtruar rrugën për rotacion me skandalet e saj dhe opozita nuk përfiton, ka dy mundësi; ose sistemi nuk e lejon, pra eshte diktatorial dhe/ose antidemokratik, ose opozita është aq e dobët sa perceptohet jo më e mirë dhe jo më e besueshme se mazhoranca parlamentare. Në kushtet e Shqipërisë kur të dy këto mundësi janë prezente dhe të dokumentuara, shkurt që maxhoranca keqpërdor ligjin zgjedhor antidemokratik dhe pushtetin qeveritar për të tjetërsuar vota dhe mandate në favor të saj me metoda force, si dhe opozita perceptohet nga votuesit si pjesë e pakicës së pakicës që vetëm kanë përfituar personalisht nga pushteti dhe nga shteti kur e kanë pasur qeverinë dhe kanë vazhduar të pasurohen edhe në opozitë.

Pra opozita e udhëhequr nga S.B. dhe I. M do të thotë se “S’bën më”. Nuk është fjala vetëm për ato arsye që të gjithë i dinë dhe mjaftojnë që ata të tërhiqeshin vetë nga jeta politike, pra “non grata” për S.B dhe implikimi me spiunlliqe, hajdutlliqe e deri vrasje nga I. M.

Le të harrojmë për efekt argumenti edhe që këta liderë kanë raportin më të madh të përmbysur midis gjithçka që premtojnë dhe gjithçka që bëjnë, me premtimin e fundit për protesta masive në shtator, dhe le t’i shohim nga prizmi se si do duhej të vepronte një opozitë e vërtetë, e organizuar, e pakapur nga pushteti dhe në unison me hallet e vërteta të shumicës së popullit e jo me hallet e vërteta të krerëve të opozitës së tapisë së Alisë, për të kuptuar sa larg është kjo opozitë nga ajo që duhet.

Opozita urgjentisht do duhej te organizohej dhe të punonte natë ditë për zgjedhjet lokale që janë pas vetëm 9 muajsh dhe jo të organizojë protesta masive gjoja për rrëzimin e qeverisë. Nëse arrin të fitojë Tiranën dhe numrin më të madh të bashkive në shkallë vendi, pushteti de facto ka rënë, shprehur me vullnet popullor e ky vullnet ia bën qeverisë ditët të numëruara sepse kupton fuqinë e vet.

Në këtë prizëm do të duhej:

  1. Miratimi i reformës territoriale, e studiuar për të mos u përdorur politikisht nga mazhoranca dhe pushteti i saj.
  2. Miratimi i reformës zgjedhore për zgjedhjet lokale, ku të futeshin nene të kufizimit të pushtetit aktual në tjetërsimin e votave me mënyra të ndryshme, hapja e sistemit me këshilltarë të pavarur për aktivizimin e më shumë burimeve njerezore qe rrisin edhe numrin e votave, këshill bashkiak të fortë që kufizon rolin e kryetarit, administrim vote pa pjesemarrjen e partive politike meqë partia në pushtet ka avantazhin, penalitete të rënda për shitblerjen e votës etj.
  3. Komisione investigimi parlamentare për bashkitë me problemet më të mëdha në shpërdorime si ajo e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Vlorës etj.
  4. Krijimi i një Fronti Konsultativ të sinqertë me çdo zë opozitar e çdo përfaqësues të gjithë grupeve të Interesit, pa u interesuar më parë për qëndrimin e tyre rreth ”non-gratës”.
  5. Konsultime në bazë për programin e përgjithshëm e të çdo bashkie sipas problematikave përkatëse.
  6. Promovimi i figurave politike vendore aktuale me potencial për kryetarë e këshilltarë bashkiak.
  7. Publikimi i procedurave dhe kritereve demokratike për primare jo brenda partisë politike, por brenda gjithë opozicionit, pra kriteri politik mjafton që dikush shprehet hapur në shoqëri dhe rrjete sociale kundër kësaj qeverisjeje dhe nëse plotëson kriteret e tjera automatikisht mund të marrë pjesë në primare.

Ka personalitete publike në çdo qytet e sidomos në Tiranë që në çdo parametër janë më lart se çdo mediokër e servil brenda partive, të cilët/at vetëm me vullnetin, guximin, mençurinë, oratorinë, profesionalizmin, konsistencën, integritetin e tyre personal, e përsëris personal, kanë bërë më shumë opozitë e akte opozitare të vërteta ndoshta më shumë se një parti opozitare e tërë, e që meritojnë të konkurojnë si të barabartë për të marrë pëlqimin e qytetarëve të tyre. Duke qenë se kam gjithmonë guximin të përmend emra që mendoj se ia vlejnë, edhe në këtë rast do them mendimin tim edhe pse i kufizuar nga ndjekja e pjesshme e zhvillimeve në Shqipëri. Me aq sa kam ndjekur, duke i dhënë përparësi brezit që u formua në demokraci mendoj se emra të tillë si Adriatik Lapaj, Marin Mema, Florian Haçkaj, Edlira Cepani, Florian Binaj, Ervin Goci, etj. do i bënin nder garës dhe do zgjonin besimin e të rinjve dhe të të moshuarve se vërtet opozita po ndryshon, po hapet, nuk po shikon vetëm interesat e saj të ngushta.

Eshtë mëse e qartë se opozita pa kontributin e gjithë zërave opozitarë pa parti, e shoqërisë civile, e grupeve shoqërore të nëpërkëmbura nga kjo qeveri si fermerët, naftëtarët, minatorët, mësuesit, emigrantët, etj. nuk mund të fitojë zgjedhjet lokale. E vetmja mundësi është bashkëpunimi i sinqertë me shumicën e popullit.

Nëse jemi të bindur se shumica vuan, se shumica nuk e mbështet këtë qeveri kusare, mediokre e antikombetare, atëherë pse opozita nuk ka mundësi të marrë shumicën e votave pas disa muajsh? Sepse nuk kalohet asnjë provim nëse nuk bën detyrat e shtëpisë si më lart, por bën detyrat e “shtëpisë së lirisë”.

Sepse kjo opozitë e udhëhequr nga liderët që u dha tapinë e politikës diktatori i fundit Alia, thjesht “s’bën më” e nëse vazhdon me përbaltjen e opozitarëve që nuk futen nën suazën e kësaj opozite problematike, nëse nuk e shikon opozitën ndryshe si aleate kundër regjimit atëherë vërteton edhe njeherë se është vetë aleate e regjimit.