Përfundon periudha pa gjoba/ Ibrahimaj: 8,900 biznese të vogla nuk janë fiskalizuar, do kalojnë në status pasiv

Më 30 qershor përfundoi afati pa penalitete për biznesin e vogël që nuk është fiskalizuar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj deklaroi se deri tani 8,900 biznese të vogla nuk janë fiskalizuar, pasi prej muajsh nuk raportojnë aktivitet.

“Biznesi i madh është fiskalizuar 100%, ndërsa te biznesi i vogël janë 8,900 biznese që nuk janë fiskalizuar. Bëhet fjalë për biznese që prej muajsh nuk raportojnë qarkullim. Janë biznese që shumë shpejt do të kalojnë në status pasiv, por për shkak të metodologjisë janë ende në status aktiv”, sqaroi ministrja.

Në fund të vitit 2021 administrata tatimore paralajmëroi se nuk parashikon fiskalizim të plotë të 120,000 bizneseve. Në takimin e zhvilluar në dhjetor 2021 me kontabilistët, përfaqësuesit e DPT-së u shprehën se janë një numër subjektesh të mëdha dhe të vogla të mbyllura, por duke qenë se kanë ende detyrime fiskale të papaguara, nuk kalojnë dot në status pasiv.

Sakaq për periudhën nga 1 janari 2021 deri më 27 qershor 2022, sipas të dhënave të tatimeve janë pajisur me certifikatë fiskalizimi rreth 108,000 tatimpagues, ndërsa mbi 4,500 tatimpagues të biznesit të vogël pa TVSH kanë aplikuar për t’u pajisur me certifikatën elektronike të fiskalizimit. Në total, referuar të njëjtës periudhë, janë lëshuar 407,353,527 fatura të fiskalizuara. Ndërsa pritet fiskalizimi i rreth 10% tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, duke përjashtuar këtu tatimpaguesit, që nuk ushtrojnë aktivitet, e megjithatë nuk mund të kalojnë në status pasiv, për shkak të detyrimeve të papaguara.

Bordi i transparencës

Bordi i Tranparencës ka marrë sot vendim për çmimet e karburanteve, ku çmimi i gazoilit u ul 6 lekë, benzina u ul 7 lekë dhe gazi 2 lekë për konsumatorët. Sipas ministres të Financave Delina Ibrahimaj efektet e bordit të çmimi i karburanteve, reflektohen me krahasimet te marzhet e fitimit të kompanive që nga krijimi i bordit me ato të vitit të kaluar.

“Ne e kemi deklaruar që në ditën e parë të bordit që nuk janë politika e duhur për çmimet. Nuk ka asnjë të dhëna që bordet kanë përcaktuar çmimet në kundërshtim me ecurinë e çmimeve në bursë. Në asnjë rast vendimmarja e bordit nuk ka qënë nga ecuria e bursës. Ne kemi bërë një analizë për marzhet bruto të fitimit të kompoanive, duke përfshirë edhe kostot operacionale, këtë vit që nga momenti i krijimit të bordit kanë 5 deri në 6%, ndërsa vitin e kaluar ishin 15 deri në 18%. Të dhënat tregojnë qartë për ndikimin e bordit te çmimet, duke përmbajtur nivelin e marzhit bruto apo neto të fitimit. Nuk ka asnjë deklaratë për ndryshim të takave te karburantet. Ne vijojmë të qëndrojmë mendimit që në momente krizash vendimarrja për ndryshim taksash është më e gabuara”.

Ministrja Ibrahimaj tha ndër të tjera se do të vijojë paketa e solidaritetit. “Është në procesin e rishikimit të buxhetit do të dalim me paketën që do të vijojë për kategori bizbesesh dhe individësh që kanë nevojë./Monitor