Përfundon me sukses edicioni i parë i kursit i trajnerëve për licencën UEFA C në Fier. Diplomohen 44 të apasionuar pas futbollit

Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit përmbylli një tjetër kurs të rëndësishëm për trajnerë në Shqipëri për këtë vit. Bëhet fjalë për kursin e nivelit UEFA C, teksa ka përfunduar me sukses edicioni i parë i këtij kursi në zonën e jugut, në Fier.

Ky kurs nisi më 13 mars të këtij viti dhe zgjati për rreth 3 muaj, teksa të gjitha leksionet janë zhvilluar në qytetin e Fierit nën kujdesin e SHRF Fier. Një risi e FSHF-së, ku sipas direktivave të UEFA-s, “licenca” duhet të shkojë te trajneri, për të pasur një shpërndarje të këtij kursi në të gjithë vendin dhe për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e trajnerëve.

Në seancat mësimore të këtij kursi morën pjesë 44 kursantë, të cilët janë të apasionuar pas futbollit dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij sporti dhe të kualifikohen me një licencë fillestare siç është ajo e ‘UEFA C’. E gjithë kurrikula që ndoqën trajnerët tashmë të rinj, është përgatitur nga UEFA në bashkëpinim me Sektorin e Edukimit në FSHF.

Kjo e mërkurë e 24 majit shënoi edhe ditën e fundit të kursit për 44 pjesëmarrësit, mes të cilëve 4 ishin vajza. Ditën e sotme, përmes një ceremonie modeste të organizuar nga FSHF, të gjithë kursantët patën mundësi të tërhiqnin edhe kartën e licencimit në Fier. Drejtori i Shkollës së Trajnerëve, Sulejman Starova dhe kryetari i SHRF Fier, Iljas Haxhiraj u uroi shumë suksese të gjithë të diplomuarve dhe i ftoi të ndjekin dhe të zhvillojnë rrugën e tyre si trajnerë në Shqipëri.

Kursi i licencës UEFA C është i bazuar në katër shtylla që janë: trajneri, lojtari, ndeshja dhe ambienti, ndërkohë që kjo licencë është edhe baza e trajningut prej nga ku nis edhe rrugëtimi për t’u bërë trajner profesionist. Të gjithë personat që pajisen me licencën UEFA C kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.