Për bizneset e shkatërruara të Spanjës, mbijetesa varet nga risitë

Bashkimi Evropian po shqyrton një paketë ndihme prej 545 miliardë dollarësh me qëllimin për të ndihmuar ekonominë e vendeve anëtare të dëmtuara rëndë nga koronavirusi. Ndër vendet më të goditura është Spanja. Udhëheqësit e këtij vendi ndodhen mes vendimesh të vështira nëse duhet ose jo t’i zgjasin kufizimet apo ta rihapin ekonominë me shpejtësi me qëllimin për t’i dhënë fund një situate që siç thonë disa, ka krijuar një dëm të panevojshëm. Situata ka detyruar disa biznese të vogla spanjolle të përshtaten.

Paketa e Bashkimit e Evropian përmban një sërë udhëzimesh se si të hiqen gradualisht kufizimet, ndërsa lejon rihapjen e disa degëve të rëndësishme të industrisë të lidhura me turizmin. Dy muaj bllokim si pasojë e pandemisë, kanë vënë në rrezik me miliona vende pune.

“Hotelet, restorantet, plazhet apo vendet e tjera turistike duhet të operohen në një mënyrë që të minimizojë rrezikun e transmetimit të koronavirusit”, thotë Margrethe Vestager e Komisionit Evropian.

Për shkak të masave për distancimin fizik restorantet nuk do të jenë në gjendje t’i mbushin të gjitha tavolinat dhe as hotelet të gjitha dhomat. Pronarët e këtyre bizneseve presin të humbasin gjysmën e të ardhurave të tyre të zakonshme. Për pronarët e restoranteve mbijetesa varet nga përshtatja me një model të ri dhe kjo nënkupton zgjerimin e shërbimit të shpërndarjes së ushqimit.

“Kam përshtypjen se diçka ka ndryshuar përgjithmonë. Është e qartë se nuk do të jemi më në gjendje të kemi shumë njerëz në restorant dhe kam frikë se njerëzit do të duan të hanë vetem në shtëpi ose në zyrë, ku kanë më pak kontakte me të tjerët”, thotë Kike del Olmo, pronar restoranti.

Ky restorant në Barcelonë është skenë e një lloj rebelimi kundër tarifave të rritura nga aplikacionet që ofrojnë shërbime shpërndarjeje të ushqimit, një tjetër barrë kjo në fitimet e pakta të restoranteve. Pronarët e restoranteve po diskutojnë rreth hapjes së një shërbimi të ri për shpërndarjen e ushqimeve.

“Do të jemi më në gjendje të shpërndajmë ushqime në shtëpi në kushte më të mira, të nxehta e të gatuara mirë”, thotë Kike del Olmo, pronar i një restoranti.

Sipas tyre shërbimet aktuale të shpërndarjes së ushqimeve janë shumë të këqija dhe se u nevojitet të kenë shërbimet e tyre.

“Uber Eats, Globo ose Deliveroo … janë shumë të kushtueshme për ne”, thotë Belen, pronare restoranti

Për këta pronarë restorantesh dhe shumë biznese të tjera të vogla në Spanjë, rimëkëmbja varet nga gjetja e zgjidhjeve lokale për probleme botërore. /VOA