“PD në shkatërrim e sipër”/ Rama: Ajo që po ndodh është tragjikomedi!

Kryeministri Edi Rama ka folur për situatën brenda Partisë Demokratike, që sipas tij është një tragjikomedi. I ftuar në emisionin ‘Të Paekzpozuarit’, kreu i qeverisë u shpreh se një aset i politikës shqiptare është në shkatërrim e sipër.

Teksa foli për shpalljen non grata të Sali Berishës, Rama u shpreh se kjo është një fatkeqësi e madhe për vendin.

Sipas tij, është e rëndë që një politikan si Berisha të mbajë një gur kaq të rëndë në qafë.

“Për me kë jam unë aty, unë nuk jam me asnjërin. Pavarësisht se janë dy tipologji të ndryshmen, të dy janë e njëjta gjë. Kam marrë një vendim me veten, që mos e komentoj këtë historinë e Saliut. Që është më e rëndë sesa duket për vendin tonë. Që një njeri që ka pasur 30 vjet të gjitha, president, kryeministër, lidershipin e një prej dy partive kryesore shpallet non grata nga një vend aleat i Shqipërisë dhe banalizimi ekstrem që i bëhet këtij fakti dhe relativizmi vulgar që i bëhet këtij fakti, është e rëndë kjo për Shqipërinë.

Është një gjë që ka një peshë të madhe në raport me Shqipërinë. Unë e konsideroj një fatkeqësi të madhe që një karrierë politike, edhe për dikë që unë nuk ushqej asnjë simpati të përfundojë me atë gur në qafë dhe ky gur në qafën e një njeriu  të kthehet në gur në qafën e një vendi është e tepër për ta banalizuar.

Nga ana tjetër është një tragjikomedi që po i ndodh PD. Është si një  humor i madh i universit që po ja kthen mbrapsht ato që i ka pasur si sebep për ti rënë në qafë të tjerëve.

Unë di që një aset sidoqoftë i politikës shqiptare është në shkatërrim e sipër, Partia Demokratike është në shkatërrim e sipër.

Nëse kjo do më kishte ndodhur mua, ju e merrni me mend se çfarë do të bënte viktima. Unë nuk e bëj të njëjtën gjë. Por një gjë po të them, që është shumë e rëndë që të ketë jehonë sado e madhe apo e vogël është një marrëzi. Që kjo është një konspiracion i Sorosit apo i forcave të tjera dhe DASH paska vepruar në funksion të një force të jashtëm qoftë ky Sorosi apo dikush tjetër është çmenduri”, tha Rama.