“Patriotizmi, streha e fundit e maskarait”, ish-ambasadori shqiptar në SHBA: Trump qeverisi keq, nuk ishte më patriot se të tjerët

Inaugurimi i Joe Biden si president i 46-të i SHBA është kthyer në temën kryesore të diskutimit në emisionet politike të mbrëmjes, sidomos pas trazirave të fundit në Kapitol. I ftuar në “Real Story”, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa, teksa komentonte zhvillimet është ndalur edhe tek paraardhësi i Biden, Donald Trump.

Sipas Tarifas, Trump qeverisi keq në këto katër vite në krye të Amerikës.

“Trump nuk ishte më patriot se presidentët e tjerë të SHBA, por foli më shumë për patriotizmin”, tha ish-ambasadori duke shtuar se “patriotizmi ka qenë streha e fundit e çdo maskarai”.

“Nuk janë 75 milionë njerëz që votojnë Trump, por votojnë partinë. Janë votues republikanë. Idetë e Trumpit, praktika trampiste, modeli që solli në qeverisje, do të mbeten. Ka ende trampistë në Senat, Dhomat Përfaqësuese. Nëse do të marrë përpjekjen për të krijuar një parti, edhe kjo do të ndodhë, por kjo do të jetë një dëm i madh për republikanët. Nuk mendoj se Trump arriti të formulojë një doktrinë dhe nuk mendoj se ishte një president më patriot se të tjerët. Çdo president ka qenë patriot, por Trump foli më shumë për patriotizmin. Por ama e dimë që patriotizmi ka qenë streha e fundit e cdo maskarai. Trump qeverisi keq, brenda në Amerikë dhe në marrëdhëniet e Amerikës me botën”, tha Tarifa.