Pas suksesit të “Duro”, Dafina Zeqiri ka një tjetër projekt

“Duro” ishte projekti muzikor që Dafina Zeqiri kishte përgatitur prej kohësh dhe i surprizoi të gjithë me mesazhin e fortë që përcolli përmes tij. E publikuar në fillim të muajit mars, kjo këngë u kthye shumë shpejt në një himn për njerëzit që janë përballur me sfida nga më të vështirat në jetë. Madje kjo këngë ja ka arritur qëllimit dhe “Linja e Jetës” bëri me dije se shumë persona kanë rritur ndërgjegjësimin duke thirrur qendrën telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve.

Ndërkohë që kjo këngë vazhdon të bëjë punën e saj, Dafina është gati të publikojë një projekt të ri. Përmes një postimi në Instagram ajo ka nënkuptuar se së shpejti mund të publikojë pjesën e dytë të këngës “Vuj vuj”, që është një nga qindra hitet në karrierën e saj. Këngëtarja ka publikuar një foto të saj shkëputur nga videoklipi i kësaj këngë dhe përkrah ka shkruar: “Vuj vuj pjesa e dytë?”.

Dafina nuk ka dhënë të tjera detaje, por ne po presim me padurim të shikojmë vazhdimin e këngës, duke qenë se e para u prit shumë mirë. Tashmë “Vuj vuj” numëron mbi 23 milionë klikime në Youtube.

Ndërkohë së fundmi Dafina ka bërë me dije se është infektuar me Covid-19. Prej më shumë se 1 javë ajo ka qenë e izoluar në shtëpi me partnerin e saj, Dj Geek dhe të dy fatmirësisht kanë pasur simptoma të lehta.