Katar 2022/ Pas humbjes me Poloninë, shanset për kombëtaren Shqiptare nuk kanë përfunduar ende

Humbja që pësoi kombëtarja me Poloninë e ka ndryshuar situatën në Grupin I për Shqipërinë, pasi shanset për të zënë vendin e dytë dhe për të mbajtur gjallë shpresën për të shkuar në Botërorin “Katar 2022” janë minimizuar.

Me humbjen e fundit, e cila ishte thuajse e paralajmëruar, për shkak të situatës së mungesave, Polonia e ka parakaluar kombëtaren në renditje dhe tani kuqezinjtë nuk e kanë më në dorë fatin e tyre për të siguruar fazën “play off”, raund i cili zhvillohet mes 10 skuadrave më të mira në grupe dhe dy ekipeve që vijnë nga Liga e Kombeve. Tani llogaritë e Shqipërisë janë në varësi të ecurisë së Polonisë, kryesisht në ndeshjen e fundit, me Hungarinë.

SI KALON SHQIPËRIA

Vetëm një mrekulli e dërgon Shqipërinë në fazën “play off”. Matematikisht shanset ekzistojnë. Po t’i referohemi gjuhës së shifrave, i bie që shanse kemi edhe për vendin e parë, pasi Anglia me barazimin e djeshëm në shtëpi është vetëm 5 pikë para Shqipërisë së vendit të tretë, ndërkohë që janë edhe 6 pikë në lojë. Këto janë ëndrra me sy hapur, por llogaritë më të prekshme lidhen me fazën “play off”. E thamë se shanset për këtë qëllim varen jo vetëm nga kuqezinjtë, por edhe nga Polonia.

Në ndeshjen pasardhëse Shqipëria luan në Angli, ndërsa polakët në transfertë ndaj Andorrës. Llogaritë e leverdishme për Shqipërinë në këto sfida të 12 nëntorit janë që kuqezinjtë të fitojnë në Angli, ndërsa Polonisë t’i “merren këmbët” në Andorrë. Pastaj në ndeshjen e fundit Shqipëria duhet të bëjë detyrën me Andorrën, ndërsa duhet shpresuar te një ndalesë e Polonisë në shtëpi ndaj Hungarisë. Një mundësi tjetër është që të besuarit e Rejës të marrin pikë në Angli, të fitojnë me Andorrën dhe të shpresojnë te një humbje e mundshme e Polonisë me Hungarinë. Ndërsa rasti më fatlum është që biletën për “play off” ta sigurojmë nga ndonjë mrekulli nga dyshja që do të përzgjidhet nga 10 fitueset e grupeve të Ligës së Kombeve, ku bën pjesë edhe Shqipëria.