Partia Demokratike është shprehur se nuk është e nevojshme që të merret opinioni i Komisionit të Venecias, pasi sipas tyre vetëm sa do të vononte procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Më herët Ambasada e SHBA-së në Tiranë, sugjeroi që të merrej opinioni i Komisionit të Venecias, në lidhje me ngërçin e Kushtetueses. Një sugjerim i tillë nuk u mirëprit nga Presidenca dhe siç duket as nga Partia Demokratike, të cilët refuzojnë nisjen e një procesi të tillë.
Përmes një deklarate zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi shkruan se Komisioni i Venecias nuk jep vendime po vetëm opinione dhe kjo sipas tij, do të sillte hapjen e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët./apel.media