Paralajmërimi i mjekut të QSUT-së/ Kontrollet radiologjike janë të rrezikshme për njeriun

Ekzaminimet radiologjike shërbejnë për të diagnostifikuar në mënyrë më të saktë pacientët. Por, në të shumtën e rasteve mjekët i konsiderojnë të panevojshme ekzaminime të tilla, pasi janë të rrezikshme për  njeriun.

Pavarësisht përfitimeve dhe shpejtësisë në diagnostifikim që sjellin ekzaminimet radiologjike si grafia, skaneri, rezonanca magnetike, ato kanë edhe efekte anësore tek pacienti për shkak të rrezatimit që përcjellin.

Në një deklaratë për një emision televiziv, drejtuesi i kabinetit neuro-radiologjisë diagnostifikuese dhe intervenuese, pranë QSUT-së, Arben Rroji tha se ato mund të jenë shkak për zhvillimin e tumoreve.

“Ekzaminimet radiologjike fillojnë që në shek 18, me shpikjen e rrezeve X dhe që këtu fillloi historia e radiologjisë. Në mënyrë progresive gjatë këtyre viteve janë rritur kërkesat për këto lloj ekzaminimesh të cilat janë të rëndësishme për të vendosur diagnozën e pacientit. Përdorimi i tyre ka krijuar një hop cilësor në diagnozën e pacientëve, por është e rëndësishme të dimë se si çdo trajtim edhe kjo ka disa efekte anësore.

Përpara se të kryejnë një ekzaminim radiologjik, duhet që tëkontrollohen fillimisht nga mjeku i familjes, i cili bën një vlerësim të detajuar klinik, pastaj mund të kërkojnë ekzaminimin përkatës. Shpesh mjekët bien pre e pacientëve të cilët i kërkojnë më ngulm këto lloj ekzaminimesh. Ka shumë patologji të cilat nuk kanë nevojë për ekzaminime. Mjafton një vlerësim i detajuar klinik dhe çon tek diagnoza e pacientit. Meqenëse nuk jemi akoma në vendosjen e protokolleve të sakta të ekzaminimeve. Protokoll do të thotë që, pasi pacienti klasifikohet si klinik nga mjeku specialist, ai ka një protokoll përpara syve, i cili është si në hierarkinë që do të fillohet me ekzaminimin më të thjeshtë dhe pastaj shkohet te ekzaminimi më i detajuar.

Popullata duhet të ketë edhe një informacion mbi efektet anësore të ekzaminimeve radiologjike. Ato kanë një efekt mbi ADN-së njerëzore, domethënë mbi kodin gjenetik të qelizave dhe thuhet që 1 në 2000 pacientë që i nënshtrohet skanerit ose një ekzaminimi radiologjik mund të ketë një transformim gjenetik të ADN-së që mund të përkthehet në evoluvcionin e disa tumoreve.

Kjo rritet në mënyrë progresive në rritje të numrit të ekzaminimeve që kryen pacienti. Rrezatimi ka një efekt akumulues, që do të thotë që ne pavarësisht se bëjmë një grafi, ose një skaner, ai rrezatim mbetet në organizmin tonë. Sa më tepër të ekspozohemi, aq më tepër rrezatim marrim dhe aq më tepër rritet probabiliteti i dëmtimit gjenetik të ADN-së. Kjo sjell rritjen e probabilitetit të shfaqjes së një tumori në organizëm, i cili mund të duket mbas 10, ose 20 vitesh pas ekspozimit nga ekzaminimi me rrezatim”,- tha doktor Rroji./apel.media