Pandemia godet të gjithë sektorët e prodhimit, përveç ndërtimit

Nga sektori i prodhimit vetëm ndërtimi ka rezultuar me rritje gjatë 3-mujorit të dytë të vitit që përkon edhe periudhën e izolimit, si në drejtim të volumit, shitjeve dhe punësimit. Sektorët e tjerë si prodhimi industrial, si ai energjisë dhe përpunimi i mbetjeve shënuan rënie si në shitje dhe prodhim.

Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i shitjeve neto në volum në sektorin e industrisë shënoi rënie 20,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa prodhimi në volum shënoi rënie 22,8 %, krahasuar me 3-mujorin e dytë të një viti më parë. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie vjetore me  12,8 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rënie 14,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Linjat e prodhimit të energjisë elektrike, gazit, avullit, në tremujorin e dytë 2020, pësuan rënie, po jo në të gjithë komponentët. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 18,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i prodhimit në volum shënoi rënie vjetore me 24,2 %. Numri i të punësuarve shënoi rritje 1,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa  indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 12,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Indekset e treguesve në aktivitetin furnizimi me ujë dhe Trajtimi e menaxhimi i mbetjeve, në tremujorin e dytë 2020, përformuan me rritje në numrin e të punësuarve dhe pagave teksa prodhimi dhe shitjet pësuan rënie.

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 27,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i prodhimit në volum shënoi rënie 31,6 %. Numri i të punësuarve shënoi rritje 4,6 % dhe fondi i  pagave gjithashtu shënoi rritje 9,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në sektorin e ndërtimit të gjitha indekset ishin në përmirësim, përveç pagave. Shitjet neto në volum shënuan rritje 2,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 2,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Indeksi i numrit te tw punësuarve në ndërtim shënoi i rritje 1,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe fondi i pagave gjithashtu shënoi rënie 3,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/Monitor