Pamje nga përplasja në Veri të Kosovës/ Serbët sulmojnë me gurë policinë, hidhet gaz lotsjellës, 6 persona të lënduar
Pamje të tjera janë publikuar nga Kosova ku qytetarët serb në Mitrovicë po përplasen me Policinë.
Serbët lokalë në veri të Mitrovicës kanë hedhur gurë në drejtim të policisë së Kosovës, kundër aksionit. Ata kanë bllokuar rrugët, duke vendosur edhe kamionët. Sipas pamjeve që kanë rrjedhur në rrjetet sociale, një veturë tashmë është djegur. Policia ka përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve që po i sulmonin me gurë.
Sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.
Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.
“Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Ellek për Radion Evropa e Lirë.