Paloka ka hallin e Lulit që i doli gjumi vonë/ Nuk e shqetësoi e vërteta për të verifikuar vdekjen e qytetarit

Deklarata e një ish-deputeteje të Partisë Demokratike, e cila bëri të ‘vdekur’ një nga banorët e Astirit, ka ngjallur reagime të shumta në media.

Ish-deputetja bëri një deklaratë të nxituar, duke pretenduar se banori i Astirit Mahmut Himallari ka humbur jetën gjatë përleshjes me policinë. Mediat mbajtën një qëndrim profesional duke mos rënë pre e deklaratës së saj, ku pas verifikimeve doli se banori ishte i shtruar në Spitalin e Traumës dhe jashtë rrezikut për jetën.

Fakti se mediat nuk u bënë pjesë e lojës së Partisë Demokratike, ka bërë që deputetet e tjera të PD-së të mundohen për t’a justifikuar deklaratën e nxituar të koleges së tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, reagoi edhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili shprehu indinjatën e tij me gazetarët, të cilët publikuan “gafën” e ish-deputetes.

Ndërkohë që banorët e Astirit po përleshen që në orët e para të mëngjesit me policinë, duke u shprehur të zhgënjyer nga opozita, Paloka ka hallin e Lulzim Bashës dhe jo të qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa banorët prisnin reagime nga opozita, nënkryetari i PD-së u zgjua nga gjumi vetëm në momentin që iu përmend nga mediat mungesa e Lulzim Bashës në mbështetje të banorëve.

Pas deklaratave të banorëve, të cilët shpreheshin të zhgënjyer nga mungesa e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha u detyrua që të dalë në një deklaratë për mediat, duke thënë se moralisht është në krah të banorëve.

“Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të Astirit. Takova tre prej të lënduarve nga protesta e astirit, ishin me trauma me djegie dhe lëndime të shumta”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. /apel.media