Paketa e ndihmave, kurora legjislative për 100 ditët e para të Presidencës Biden

Presidenti Joe Biden e mori detyrën tre muaj më parë duke bashkëpunuar me një Kongres me shumicë të ngushtë demokrate. Ndërsa Presidenti Biden përballej me një krizë të dyfishtë ekonomike dhe të shëndetit publik, Kongresi u konsumua nga procesi i dytë gjyqësor ndaj paraardhësit të tij Donald Trump. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim sfidave të presidentit të ri në raport me ligjvënësit gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë.

Vetëm disa ditë pasi Kapitoli u sulmua nga mbështetës të ish-Presidentit Trump, Amerika pa një tranzicion paqësor pushteti drejt Presidentit Biden dhe një Kongresi me shumicë të ngushtë demokrate. Ligjvënësit vepruan me shpejtësi duke miratuar 2 trilionë dollarë për të financuar vaksinat dhe pagesat prej 1400 dollarësh për amerikanët në vështirësi.

“Miratuam Planin Amerikan të Shpëtimit, një nga paketat e ndihmës me më shumë ndikim në historinë amerikane. I kemi parë që tani rezultatet”, tha Presidenti Biden.

Ligjvënësit republikanë thanë se paketa ligjore masive nuk bëri shumë për ta zgjidhur krizën.

“Harxhuan gati 2 trilionë dollarë për një paketë partiake, për të cilën Shtëpia e Bardhë u mburr se ishte më liberalja në historinë amerikane! Vetëm 1% shkoi për vaksinimet”, tha Senatori republikan Tim Scott.

Shumica e analistëve thonë se fondi ishte një sukses i nevojshëm për demokratët.

“Do të konsiderohet një fitore legjislative, dhe madje popullore – më në fund pritshmëritë u reflektuan në realitet”, thotë Casey Burgat, nga Universiteti George Washington.

Por, për javët e para të presidencës Biden, Senati u konsumua nga ngritja e akuzave, gjykimi dhe shpallja jofajtor e ish-Presidentit Trump për rolin në nxitjen e trazirave të 6 janarit.

“Kongresi ishte ende duke u përballur me pasojat e pikëpyetjes nëse mund të gjykohej apo jo një ish-president. Kishte një klimë përgjithësisht të keqe mes anëtarëve të Kongresit që ishte në fazën e tranzicionit drejt Kongresit të ri, i cili do të mirëpriste një president me axhendën e tij legjislative”, thotë zoti Burgat.

Megjithëse ligjvënësve iu desh më shumë kohë se zakonisht për t’u organizuar, Kongresi i bashkuar demokrat dhe Shtëpia e Bardhë, së bashku me stilin menaxhues të presidentit të ri, mundësuan një ton të ndryshëm në Kapitol.

“Kur flet Presidenti Biden, ose kur dikush thotë se po flasin nga Shtëpia e Bardhë, të gjithë faktorët, republikanë dhe demokratë, kanë besim se ai është pozicioni real – se nuk do të ketë ndonjë përmbysje të papritur të pozicionit”, thotë Molly Reynolds, nga Instituti Brookings.

Kjo është një përqasje që do t’i nevojitet Presidentit Biden ndërsa po negocion për miratimin në Kongres të një plani ambicioz për infrastrukturën. /VOA