Organizata më e madhe në fushën e shëndetësisë në SHBA, pezullon 2.200 punonjës që nuk kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit

Kaiser Permanente, një nga organizatat më të mëdha që operon në fushën e shëndetësisë në SHBA, njoftoi se 2.200 punonjës që nuk kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit, janë nxjerrë në pushim të papaguar.

Në një deklaratë nga kompania thuhet se 2.200 personave që nuk kanë respektuar rregullin e detyrimit për të pasur vaksinën kundër COVID-19 në sistemin shëndetësor u është dhënë dy muaj pushim pa pagesë.

Në deklaratë theksohet se personeli në fjalë, që korrespondon me afërsisht 1 për qind të punonjësve të kompanisë, nuk kanë marrë vaksinat e tyre kundër COVID-19, pavarësisht afatit të dhënë deri më 30 shtator.

Më tej thuhet se këta persona mund të kthehen në punë nëse paraqesin vaksinimet e tyre ose një përjashtim të kualifikuar mjekësor ose fetar deri më 1 dhjetor, përndryshe, kontratat e tyre do të përfundojnë.

“Shpresojmë që asnjë nga këta punonjës të mos zgjedhë të lërë punën në vend që të vaksinohet, por nuk do ta dimë këtë deri më 1 dhjetor”, tha për ABC zëdhënësi i Kaiser Permanente, Marc Brown.

Brown tha se do të vazhdojnë të punojnë për të adresuar shqetësimet e këtij grupi në lidhje me vaksinat dhe për t’i informuar ata mbi përfitimet dhe rreziqet e tyre.

Kaiser Permanente, me seli në Oakland të Kalifornisë dhe e themeluar në vitin 1945, operon në nëntë shtete. Sipas burimeve të disponueshme në internet, kompania, e cila ka më shumë se 304 mijë punonjës, ka të ardhura vjetore prej 89 miliardë dollarësh, sipas regjistrimeve të vitit 2020.