Opozita zhgënjen banorët e Astirit/ Lulzim Basha fshihet në ditën e përleshjes me policinë

Banorët e Astirit që kanë protestuar që në orët e para të mëngjesit në mbrojtje të banesave të tyre, për shkak të ndërtimit të Unazës së Re, shprehen shumë të zhgënjyer nga opozita, e cila sipas tyre, i la në baltë ditën e fundit të protestës. Sipas tyre, kryetari i opozitës Lulzim Basha, nuk ka shkuar për të mbështeur banorët dhe as nuk ka bërë një reagim zyrtar në lidhje me protesën. Ai është mjaftuar vetëm me dërgimin e disa ish-deputetëve në vendngjarje, të cilët kanë bërë vetëm karshillëk ndaj banorëve.

Të dhunuar dhe tashmë të ngelur në mes të rrugëve, pa shtëpi, banorët ndjehen të lënë në mëshirë të fatit, ku sipas tyre sjellja e sotme e policisë ishte si ajo e serbëve të Milloshevicit.

Që në orët e para të mëngjesit forca të shumta policie kanë rrethuar zonën e Astirit, duke u përplasur me banorët. Sipas informacioneve zyrtare nga policia, protesta ka degraduar në dhunë, ku kanë ngelur të plagosur 5 efektivë policie dhe 7 banorë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që është mësuar se profesori Ervin Goci, kishte shkuar për të mbështetur banorët në protestën e tyre, por është arrestuar me dhunë nga policia dhe ndodhet në komisariatin numër 3.

“Ne bëmë atë që mundëm. Ne nuk jemi ushtri, jemi thjesht një komunitet. Kemi qenë të ngujuar që dje por nuk jemi mbështetur nga askush. Jemi të zhgënjyer si nga opozita ashtu edhe nga qytetarët. Ne jemi masakru nga policia, si me dhunë ashtu edhe me gaz lotsjellës. Jemi të zhgënjyer. Nuk bëhet ky vend. Na kanë bërë gjenocid si serbët e Milloshevicit”,- shprehet njëri nga banorët./apel.media