Opinion nga Fadil Sahiti/ Një jetë me dinjitet që nuk e kemi

Fadil Sahiti shkruan :

Edhe pse nuk e kam ndjekur nga afër fushatën zgjedhore të kandidatëve për kryetar komune, është e lehtë të kuptohet se programet e tyre politike shumë pak prekin thelbin e problemeve reale të qytetarit të Kosovës. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kandidatët e ricikluar, ‘recidivistët’ e politikës, të cilët nuk janë të paktë në numër. Shpalosin programe politike plot me fantazi të shthurur, premtime populiste, të parealizuara, pa asnjë sens real.

Thelbi i premtimeve të tyre qëndron në ndërtimin e parqeve, hapësirave të parkimit, ndërtimin e çerdheve, madje edhe ndërtimin e liqeneve!

Nuk dua të keqkuptohem; nuk po them se nuk kemi nevojë për këto projekte infrastrukturore. Ajo që po përpiqem të theksoj është se ne, qytetarët e Kosovës, kemi probleme shumë më themelore, të lidhura me ekzistencën tonë, me cilësinë e jetës sonë.

Problemet tona lidhen me vetë dinjitetin e jetës sonë. Është marrëzi të mendosh se njerëzit duan të largohen nga Kosova për shkak të mungesës së parqeve, liqeneve, parkingjeve dhe hapësirave të tjera publike.

Koncepti i jetës me dinjitet është relativ, ndryshe mund të kuptohet në Londër, e ndryshe këtu. Është absurd të bëhen paralelizma. Por të jetosh me një minimum dinjiteti do të thotë të kesh mundësi të edukosh fëmijët në shkollat publike ku shpërndahet dije dhe kulturë e jo pseudodije dhe pseudokulturë; që kur sëmuremi të mund të mbështetemi te mjekët dhe spitalet publike dhe pa pasur nevojë të shkojmë jashtë vendit për trajtim; që në rastet kur kemi konteste ligjore, pavarësisht nga statusi jonë shoqëror, të llogarisim në drejtësi të barabartë.

Që puna ime në një ndërmarrje private të mbështetet në një kontrate të siguruar nga shteti; jetë dinjitoze do të thotë të jetosh në një ambient shoqëror ku polici, mësuesi, gjyqtari i Kosovës ka frikë të korruptohet, jo sepse është thelbësisht i ndershëm, por sepse e di që dora e shtetit do të bjerë mbi të pa mëshirë. Lista e atributeve të tjera të një jete dinjitoze mund të vazhdojë pa fund.

Dikush mund të thotë se kompetencat e kryetarëve të komunave dhe qeverive komunale janë të kufizuara dhe qeverisja lokale vështirë se mund të prekë fushat e sipërpërmedura. Ata që e kanë lexuar ligjin për qeverisjen vendore/lokale e dinë se sa shumë ndikim mund të ketë një politikë që është në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të tarafeve politike.

Si përfundim, kur i analizon njeriu premtimet e këtyre politikanëve ‘lokal’, sidomos të këtyre recidivistëve, sikur duan të na bëjn jetën më të lumtur. Ndërkaq, problemi thelbësor i jonë nuk është rritja e sasisë së lumturisë, por zvoglimi i vuajtjeve tona.