Operacioni antidrogë në Durrës/ Policia njoftim zyrtar: Arrestohen babë e bir dhe 3 punonjës të OSHEE

Policia e Durrësi ka finalizuar operacionin antikanabis të koduar “Meshigli” duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike me llamba. Arrestohen në flagrancë babë e bir.

Gjithashtu, gjatë operacionit vihen në pranga edhe 3 punonjës të OSHEE-së, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Meshigli”.

Gjatë këtij operacioni, në Shënavlash, u evidentua një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

U arrestuan në flagrancë shtetasi Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash.
Në katin e katërt të banesës së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 254 bimë narkotike.

Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit: D. A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/696554981325977