Oferta për sulmuesin e Kukësit, 500 mijë euro për 27 vjeçarin vlonjat

Kukësi ka arritur një formë shumë të mirë sportive, sidomos gjatë këtyre dy muajve të fundit, të cilën e kanë treguar në 5 javët e fundit të kampionatit, me katër fitore dhe një barazim, por dhe në miqësoret e zhvilluara në Antalia. Nënkampionët e Shqipërisë kanë barazuar ndaj Malatjaspor dhe Politehnika Lasit, e ndaj këtyre të fundit kanë dominuar ndjeshëm, paçka se nuk kanë fituar.

Drejtori Nexhipi së bashku me trajnerin Duro kanë arritur të krijojnë një skuadër mjaft kompetitive dhe lojtarët po shkëlqejnë në rolet e tyre. Trajneri Duro ka ditur t’u marrë më të mirën shumë lojtarëve, e dy prej tyre janë Vasil Shkurtaj dhe Vesel Limaj. Dy lojtarët në fjalë dhe emra si Et’hemi, Maliqi e Gavazaj janë në planet e drejtuesve, të cilët po ndjekin një strategji të mirëfilltë për shitjen e tyre. Këtë gjë e ka bërë me dije drejtori Nexhipi dhe publikisht, ndaj dhe minutat për ta kanë qenë maksimale.

Sulmuesi 27-vjeçar vlonjat i Kukësit ka treguar një formë mjaft të mirë sportive ku me golat e tij është kthyer në një prej pikave të referimit të Kukësit. Ai ka shënuar 11 gola në 14 ndeshje të luajtura dhe duke parë statistikat është vënë në “lupën” e disa ekipeve.

Për Shkurtajn, presidenti Gjici i pagoi Luftëtarit 70 mijë euro dhe një rrogë mujore prej 7 mijë eurosh, por tashmë ka ardhur koha që shtatlarti të kërkojë një eksperiencë të re jashtë shtetit pas aventurës me Kukësin. Në intervistën e dhënë nga vetë lojtari për “Panorama Sport” në numrin e datës 10 janar, lojtari e pohoi vetë se synim i tij mbas fitimit të titullit me Kukësin ishte që të transferohej në një kampionat të fortë dhe se për të ka interesime.

Kështu interesim konkret ka nga një klub në Holandë për shtatlartin, por shifra që ata ofrojnë për të blerë kartonin e lojtarit nuk i kap 300 mijë eurot, gjë që nuk është marrë në konsideratë nga drejtuesit. Kukësi e lëshon Shkurtajn nëse vjen një ofertë te 400- 500 mijë euro.

Shkurtaj është nën kontratë me Kukësin deri në përfundim të Kupave të Europës. Nuk dihet akoma se si klubi do veprojë me sulmuesin, pasi kurrsesi nuk dëshiron që ai të largohet me parametra zero./apel.media