Oerd Bylykbashi mesazh kundër Bashës: Nëse të prishet motori i makinës nga karburanti mos ndërro makinën, por kompaninë e karburantit

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar situatën politike në vend, por edhe atë çfarë po ndodh në PD.

Në një postim në rrjetet sociale, Bylykbashi risjell në vëmendje një ngjarje të ndodhur në Britaninë e Madhe, dhe tenton të heqë një paralele me atë që ndodh në Shqipëri, që sipas tij tregon qartë sesa larg demokracisë është vendi ynë.

Bylykbashi i drejton edhe një mesazh edhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa shkruan se duhet kolegjialitet më i madh brenda partisë në vendimet e rëndësishme.

“Demokraci e largët

Në Britani, një grup deputetësh rebelë të Partisë Konservatore në qeveri kundërshtuan para disa muajsh planin e qeverisë së Boris Johnson për të ulur ndihmën e huaj për vendet e treta.

Ata kërcënuan me një votim në parlament për këtë çështje kundër qeverisë së vet. Deputetët rebelë përfshinin katër ish-ministra britanikë dhe drejtuesit e tetë komisioneve të rëndësishme parlamentare. Pra këta rebelët kundër qeverisë së vet ishin figura më këllqe në partinë në pushtet.

Ky fakt bëri lajm në Britani. Por për ne lajm do të ishte diçka tjetër: rebelimi brenda partisë në pushtet ndaj lidershipit. Apo thjesht rebelimi brenda partisë. Ky rebelim në Britani nuk sjell si pasojë largimin e deputetëve rebelë, por ka më shumë shanse që lidershipi të ndryshojë politikën e tij. Pra atje nuk mjafton çfarë mendon “i pari”, “i madhi fare” apo “i gjati”, por duhet kolegjialitet më i madh brenda partisë në vendimet e rëndësishme.

Ne mund të ndërrojmë sa të duam sisteme zgjedhore, por po nuk u demokratizuan partitë nga brenda, nuk do të ketë ndryshim të politikës dhe është e kotë të kërkojmë demokraci në qeverisje. Nëse të prishet motori i makinës nga karburanti mos ndërro makinën, por kompaninë e karburantit. Sa kohë partitë nuk do të demokratizohen në mënyrën si marrin vendimet dhe njishi bën ligjin, nëse do të ndodhte tek ne ajo që ndodhi në Britani, do të ishte e sigurt që kjo do të çonte në anatemimin dhe largimin e deputetëve rebelë dhe jo që qeveria, lidershipi apo “i madhi” të ndërronin qëndrim.

Më 8 dhjetor 1990 nuk kërkuam demokracinë e liderit, por demokracinë e individëve të lirë. Ndaj kjo që ndodhi në Britani është shumë larg. Jo në kilometra por në vite. 8 dhjetori po vjen sërish për të na kujtuar që “diku u ngatërruam dhe shtegu na çoi teposhtë”. Nuk vazhdohet më kështu! Le ta ndryshojmë të gjithë bashkë!”-shkruan Oerd Bylykbashi./