OBSH: Varianti Omicron paraqet rrezik “shumë të lartë”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot paralajmëroi se varianti i ri i koronavirusit Omicron paraqet një rrezik “shumë të lartë” globalisht.

“Nëse ndodh një rritje tjetër e madhe e COVID-19 e nxitur nga Omicron, pasojat mund të jenë të rënda”, tha agjencia në një shënim teknik të lëshuar për anëtarët përpara një sesioni special.

“Rritja e rasteve, pavarësisht ndryshimit në ashpërsi, mund të paraqesë kërkesa të mëdha për sistemet e kujdesit shëndetësor dhe mund të çojë në rritje të morbiditetit dhe mortalitetit”, tha OBSH-ja.

Theksohet se rreziku i përgjithshëm global në lidhje me Omicron, të cilin OBSH-ja e ka etiketuar tashmë si një “variant shqetësimi”, vlerësohet si “shumë i lartë”.

Shfaqja e llojit të ri, që besohet të jetë shumë i transmetueshëm dhe tashmë përgjegjës për shpërthimet e COVID-19 në disa vende, ka ndezur panik në mbarë botën.

Shumë qeveri kanë nxituar të marrin masa për të frenuar përhapjen e tij, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe kthimin e kufizimeve për popullsinë lokale.​​​​​​​