OBSH: Numri i viktimave nga COVID-19 mund të shkojë deri në 2 milionë

Teksa vdekjet nga koronavirusi në botë po i afrohen shifrës prej 1 milion, eksperti kryesor i Shteteve të Bashkuar për sëmundje ngjitëse, ka paralajmëruar kundër uljes së përpjekjeve për ta ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive, u bëri thirrje njerëzve që ta kujtojnë se “kjo ka një fund” dhe se “ne duhet të durojmë edhe pak” derisa shkencëtarët të zhvillojnë një vaksinë kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.

“Ajo çfarë ne nuk duam është që të detyrohemi të izolohemi” nëse njerëzit nuk respektojnë rregullat kundër pandemisë dhe rastet e reja rriten, tha ai.

Që prej se rastet e para me koronavirus u shfaqën në Kinë vitin e kaluar, në mbarë botën janë infektuar 32.4 milionë persona. Deri më tani, të paktën 985,000 persona kanë vdekur, thuhet në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. Megjithatë, shifrat reale të të infektuarve dhe të viktimave besohet se janë më të larta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tha më 25 shtator se zhvillimi i një vaksine potenciale kundër koronavirusit, kërkon edhe disa muaj. Andaj, sipas kësaj organizate, deri atëherë, vdekjet nga ky virus mund të arrijnë në 2 milionë ose më shumë, nëse nuk ndërmerren hapa për të ulur lakoren e infektimeve.

“Sigurisht që është e paimagjinueshme, por nuk është e pamundur, sepse nëse shohim se si ne humbën 1 milionë persona (nga koronavirusi) për 9 muaj dhe më pas shohim realitetin e zbulimit të vaksinave në 9 muajt e ardhshëm, është një detyrë e madhe për të gjithë të përfshirët në këtë”, tha Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit për emergjenca shëndetësore të OBSH-së.

Rritja e numrit të viktimave dhe të të infektuarve, sipas Ryan, mund të shmanget.

Ai shtoi se masat si mbajtja e higjienës, mbajtja e maskës, e distancës janë të domosdoshme. Zyrtari i OBSH-së shtoi se testimet e shumta dhe karantinimi janë të domosdoshme./REL