OBSH: Mbi 5000 rastet e lisë së majmunëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se 5,322 raste të konfirmuara nga laboratori të lisë së majmunëve ishin raportuar tek ajo në shpërthimin aktual, 85 përqind e të ci...
OBSH: Mbi 5000 rastet e lisë së majmunëve
Foto: OBSH: Mbi 5000 rastet e lisë së majmunëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se 5,322 raste të konfirmuara nga laboratori të lisë së majmunëve ishin raportuar tek ajo në shpërthimin aktual, 85 përqind e të cilave janë në Evropë .

Megjithëse numri i rasteve po rritet me shpejtësi, agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara nuk ka caktuar një datë që komiteti i saj i urgjencës për linë e majmunëve të mblidhet për një takim të dytë.

“Nga 1 janari deri më 30 qershor të këtij viti, ne kemi 5,322 raste të konfirmuara nga laboratori dhe një vdekje”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësja e OBSH-së Fadela Chaib.

Numri është rritur me 56 për qind në tetë ditë. Shifra e mëparshme e dhënë nga OBSH, për periudhën deri më 22 qershor, ishte 3,413 raste.

Një rritje e rasteve të lisë së majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit jashtë vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike.

Chaib tha se infeksionet tani ishin raportuar në 53 vende.

“Tetëdhjetë e pesë për qind e rasteve janë në Evropë, e ndjekur nga rajoni i Afrikës, Amerika, Mesdheu Lindor dhe Paqësori”, tha ajo.

“OBSH vazhdon t’u kërkojë vendeve që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rasteve të lisë së majmunëve në përpjekje për të ndaluar infeksionet e mëtejshme.”

Sipas OBSH-së, shumica e infeksioneve të lisë së majmunëve deri më tani janë vërejtur te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, në moshë të re dhe kryesisht në zonat urbane.

Simptomat fillestare normale të lisë së majmunit përfshijnë temperaturë të lartë, ënjtje të nyjeve limfatike dhe skuqje të ngjashme me linë e dhenve.

Më 23 qershor, agjencia shëndetësore e OKB-së mblodhi një komitet urgjent ekspertësh për të vendosur nëse lija e majmunëve përbën një të ashtuquajtur Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar (PHEIC) – alarmi më i lartë që mund të japë OBSH.

Por shumica gjeti se situata nuk e kishte kaluar ende atë prag.

Megjithatë, ata pranuan natyrën emergjente të shpërthimit dhe thanë se kontrollimi i përhapjes së mëtejshme të tij kërkonte përpjekje intensive për reagim.

Komiteti mund të mblidhet në çdo kohë, në varësi të situatës në ndryshim.

Komiteti i urgjencës prej 16 anëtarësh i OBSH-së për linë e majmunëve kryesohet nga Jean-Marie Okwo-Bele nga Republika Demokratike e Kongos, i cili është një ish-drejtor i Departamentit të Vaksinave dhe Imunizimit të OBSH-së.