OBSH: Doza e tretë, vetëm për të moshuarit dhe të sëmurët

Një grup ekspertësh që këshillon Organizatën Botërore të Shëndetësisë për vaksinat, rekomandoi që njerëzit e moshuar dhe ata me sistem të dobët imunitar të marrin një dozë shtesë të vaksinës kundër ko...
OBSH: Doza e tretë, vetëm për të moshuarit dhe të sëmurët
Foto: OBSH: Doza e tretë, vetëm për të moshuarit dhe të sëmurët

Një grup ekspertësh që këshillon Organizatën Botërore të Shëndetësisë për vaksinat, rekomandoi që njerëzit e moshuar dhe ata me sistem të dobët imunitar të marrin një dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit.

Drejtoresha për vaksinat e OBSH-së, Kate O’Brien, tha se doza e tretë duhet t’u jepet njerëzve një deri në tre muaj pas dozës së dytë, për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e rënda, shtrimi në spital dhe vdekja.

O’Brien gjithashtu theksoi se kjo nuk vlen për të rriturit e shëndetshëm, që kanë reagim normal imunitar ndaj vaksinimit dhe nuk kanë sëmundje të tjera.

Studimet kanë treguar se mbrojtja nga vaksinimi te njerëzit mbi 65 vjeç zvogëlohet më shpejt, sesa te të rinjtë.

Shumë vende të pasura, përfshirë Britaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, kanë rekomanduar tashmë dozën e tretë për të moshuarit dhe njerëzit me sistem të dobësuar imunitar.

OBSH-ja u bëri thirrje qeverive që kanë shumë vaksina, që të mos iu ofrojnë ato personave nën 65 vjeç, por t’iu japin vendeve që nuk kanë doza të mjaftueshme për t’i vaksinuar njerëzit në nevojë.

Pak ditë më parë ishte agjencia e barnave që rekomandoi përdorimin e dozës së tretë vaksinës Pfizer tek e gjithë popullata e rritur gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë, si dhe përdorimin e saj tek të gjithë personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobët tre muaj pas imunizimi me dy doza.