Obligacionet 15-vjeçare, yield-i arrin në 8.95%

Ministria e Financave zhvilloi në fund të muajit nëntor rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare, që rezultoi me një rritje të mëtejshme të yield-eve. Yield-i uniform i pranuar nga Ministria e ...
Obligacionet 15-vjeçare, yield-i arrin në 8.95%
Foto: Obligacionet 15-vjeçare, yield-i arrin në 8.95%

Ministria e Financave zhvilloi në fund të muajit nëntor rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare, që rezultoi me një rritje të mëtejshme të yield-eve.

Yield-i uniform i pranuar nga Ministria e Financave në ankand rezultoi 8.95%, në rritje nga niveli prej 8.39% i ankandit fillestar të këtyre instrumenteve, që ishte zhvilluar në muajin shtator.

Shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave në këtë ankand ishte 1 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura nga investitorët arriti në 1.44 miliardë lekë.

Yield-i maksimal i kërkuar nga investitorët në ankand arriti deri në 10%, por kërkesa e kënaqshme i ka mundësuar Ministrisë së Financave ta realizojë shumën e plotë të huamarrjes me një yield uniform më të ulët.

Rritja mes ankandeve të muajit shtator dhe nëntor reflekton vijimin e normalizimit monetar dhe rritjen e mëtejshme të yield-eve për instrumentet afatshkurtra. Megjithatë, shkalla e rritjes së yield-eve paraqitet disi më e ngadaltë në raport me ankandin e mëparshëm.

Ky mund të jetë një sinjal i pritshmërive për stabilizim të afërt të yield-eve në tregun primar të borxhit qeveritar. Një tendencë e tillë u konfirmua edhe nga rënia e lehtë e yield-eve të bonove 12-mujore javën e kaluar.

Obligacionet 15-vjeçare u emetuan për herë të parë në nëntor 2021, me qëllim testimin e tregut, që reagoi mjaft pozitivisht.

Nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë lekë, ndërsa kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%.

Kërkesa e lartë që shfaq tregu e nxiti Ministrinë e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi, në muajin shkurt të këtij viti. Në rihapjen e muajit shkurt, yield-i uniform i obligacionit rezultoi në nivelin 5.84%.

Në muajin maj, Ministria e Financave zhvilloi edhe rihapjen e dytë të ankandit të obligacioneve 15 vjeçare. Por, rihapja e dytë dëshmoi se kushtet e tregut kanë ndryshuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së shpejtë të inflacionit.

Në këtë ankand u vërejt shtrëngim i ndjeshëm të kërkesës së investitorëve dhe një rritje të fortë të normave të interesit. Yield-i mesatar i ankandit rezultoi 6.9%.

Ndërkohë, emetimi i ri i muajit shtator shënoi një rritje të ndjeshme, duke e çuar yield-in uniform dhe kuponin e obligacioneve 15-vjeçare në 8.39%.

Ministria e Financave ka zgjedhur që për këto instrumente të aplikojë një huamarrje të fragmentuar në vlera relativisht të vogla, edhe për shkak të rënies së preferencës së investitorëve në muajt e fundit për titujt e borxhit afatgjatë.

Rritja e shpejtë e normave të interesit ka krijuar një lloj pasigurie në tregun financiar, duke bërë që bankat dhe investitorët e tjerë institucionalë të orientohen drejt investimeve afatshkurtra. Megjithatë, deri tani tregu i është përgjigjur mirë ofertës së obligacioneve 15 vjeçare të nxjerra për shitje nga qeveria.

Ato janë një mundësi e mirë për investitorët institucionalë, si bankat apo fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që synojnë të rrisin kthimet afatgjata të portofoleve të tyre. Por, obligacionet 15-vjeçare me siguri kanë qenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël.

Në muajt e fundit, hendeku mes normave të interesit të depozitave dhe yield-eve të instrumenteve të qeverisë është rritur ndjeshëm, duke i bërë bonot dhe obligacionet më joshëse për investitorët e vegjël./monitor