Nuk posedonte leje për transport ndërkombëtar, agjencisë “Besa Trans” i hiqet licenca

Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ia ka marrë licencën për transport të pasagjerëve agjencisë “Besa Trans”, pasi një autobus i saj shkaktoi aksidentin tragjik më 23 nëntor në Bullgari ku ...
Nuk posedonte leje për transport ndërkombëtar, agjencisë “Besa Trans” i hiqet licenca
Foto: Nuk posedonte leje për transport ndërkombëtar, agjencisë “Besa Trans” i hiqet licenca

Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ia ka marrë licencën për transport të pasagjerëve agjencisë “Besa Trans”, pasi një autobus i saj shkaktoi aksidentin tragjik më 23 nëntor në Bullgari ku vdiqën së paku 45 persona, ndërsa shtatë të tjerë morën lëndime trupore.

Ministria e Transportit ka konstatuar se autobusi nuk posedonte lejen për transport ndërkombëtar.

“Bazuar në nenin 12 të Ligjit për transportin e udhëtarëve, sigurimit të të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj vepre tjetër nga ana e kompanisë, me pasoja për pasagjerët, kompanisë ‘Besa Trans BTB’ i merret licenca, përkatësisht i ndalohet veprimtaria e transportit të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

Ndërkohë, Drejtoria e Doganave e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për suspendimin nga puna të dy doganierëve, të cilët me datë 19 nëntor kanë lejuar autobusin të kalojë kufirin e Maqedonisë së Veriut pa dokumentacionin e nevojshëm për transport të udhëtarëve. Masa disiplinore janë marrë edhe kundër përgjegjësit të turnit të doganës.

Drejtoria, gjithashtu, ka njoftuar se autobusi i njëjtë pa leje për transport ka kaluar edhe nëpër kufijtë tjerë të Maqedonisë, por nuk ka njoftuar nëse do të merren masa tjetër për lëshimet e bëra.

“Autobusi i njëjtë i kompanisë ‘Besa Trans’ në periudhën nga 15 tetori 2020 deri më 11 nëntor 2021, është evidentuar të ketë kaluar në shumë pika kufitare, si në Deve Bair dhe Dellçevë me Bullgarinë, në Bllacë me Kosovën, Qafëthanë me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e Doganave të Maqedonisë së Veriut.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes.

Zëvendëskryeprokurori, njëherësh drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov, ka deklaruar në Sofje më 25 nëntor se gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentimin e autobusit. Ai ka shtuar se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Në këtë aksident nuk janë përfshirë automjete të tjera. Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.