“Nuk ka më vend për teatër politik”/ Kulluri: Në 11 Dhjetor, do shkojnë të gjithë ata që duan të ç’bëjnë partinë e Bashës

Edvin Kulluri, kandidati për kryetar të PD-së ka folur për situatën aktuale në Partinë Demokratike, ku Lulzim Basha ka bërë thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ndërsa ish kryeministri Sali Berisha ka ftuar demokratët për mbledhjen e Kuvendit më 11 Dhjetor.

Kulluri paralajmëroi se nuk ka më vend për teatër politik në Partinë Demokratike. Sa i përket gjuhës së shantazhit ndërmjet palëve, Kulluri thotë se i vetmi akt i pastër në politikë ose e vetmja veprimtari e qartë politike në PD në 4 vitet e gjysmë të fundit është ajo e grupit kritik të PD.

Kulluri: Kuvendi do të nxjerrë përgjegjësinë e humbjeve të njëpasnjëshme, shkeljes së statutit dhe të gjitha principeve të tjera për të cilat unë me disa kolegë mund të kemi 4 vjet e gjysmë që e luftojmë. Kemi ndërmarrë dhe akte e kemi dhënë dorëheqjen nga Këshilli Kombëtar. Unë mendoj që e tërë trupa nuk shkon për të zgjedhur një kryetar. Kur them që kam kontakte me njerëzit, e di se çfarë thonë.

Më datën 11 Dhjetor, do shkojnë të gjithë ata që duan të ç’bëjnë atë parti që në fakt është ç’bërë nga Lulzim Basha. Jo vetëm kaq, por aty nuk ka një person, do të ketë 4000 e ca njerëz, mendje e vullnete të cilët do të jenë të ndarë edhe në grupe të tjera. Ndarja e parë, deri më 11, të gjithë kanë një qëllim. Pyetja e dytë, nëse është votëbesim për Berishën apo jo, duhet parë po të ketë garë. Kjo është një sfidë që demokratët e kanë me të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Nuk jam i sigurt nëse ajo sallë ka një qëllim unanim për çështjen e kryetarit të partisë dhe forumeve të reja që do të dalin pas datës 11. Më duket i pavend konstatimi që ky Kuvend është për të emëruar një kryetar tjetër. Është jashtë axhendës së Kuvendit. Berisha ka shfaqur ambicien për të qenë kryetar i PD. Vullneti i demokratëve se kush do të jetë kryetar është çështje tjetër. Mund të fitojë, të humbë, të fitojë thellë ose të humbë me një votë. Nuk ka më kohë për teatër në Partinë Demokratike. Kjo është çështja. Ne nuk jemi teatër, jemi tek muaji i tretë i shkrimeve kritike për teatrin që ka ndodhur katër vjet e gjysmë në parti.

Dyrnjaja: Shoh gjuhë të vjetër shantazhi ndërmjet palëve, nota nënkuptuese, të tërthorta, një gjuhë e shëmtuar, që të kujton kohët e shkuara, pra nuk ka terma dhe politikë moderne.

Kulluri: Besoj që i vetmi akt i pastër në politikë ose e vetmja veprimtari e qartë politike në PD në 4 vitet e gjysmë të fundit është ajo e grupit kritik të PD dhe grupimeve në PD. Nëse flasim për identifikim përballë kryetarit të partisë, kjo është në një kuptim jo para politike por niveli bazik. Nëse flasim për politikë të pastër, është ajo që kemi bërë në statutin 2018 me kërkesat për dorëheqjen e Bashës më 2017, me iniciativën që morëm pas 25 prillit dhe gara për kryetarin e PD që u vodh në mënyrë të hapur dhe të paturp nga lidershipi i partisë.