“Njerëzit s’e kuptojnë…”, Dua Lipa rrëfen të shkuarën: Forcat serbe i kërkuan gjyshit të rishkruante historinë

Dua Lipa në një intervistë për “Rolling Stone”, përveç projekteve muzikore dhe suksesit të vitit të kaluar, ka folur për arsyen pse është gjithnjë e gatshme të ngrejë zërin për problematikat kudo në botë.

Në paragrafin kur flitet për këtë tematikë, “Rolling Stone” shkruan se “familja e saj janë shqiptarë të Kosovës, refugjate e konflikteve në Ballkan dhe të dy gjyshërit e saj ishin historianë”.

Më pas Dua vazhdon rrëfimin:

“Gjyshi im nga ana e babait po shkruante libra për gjithçka që po ndodhte. Kur ndodhi pushtimi, forcat serbe i kërkuan që të rishkruante historinë. Ai nuk pranoi dhe humbi punën. Prandaj, fakti që ndjej të flas kur diçka nuk shkon, është pjesë e asaj që jam. Dua të qëndroj pranë gjërave në të cilat besoj.”

Më pas në shkrim tregohet se teksa luftërat po shtoheshin, prindërit Lipa e lanë universitetin (babai i saj studionte stomatologji ndërsa mamaja për drejtësi). Ata shkuan në Londër, duke u vendosur në një komunitet të refugjatëve të Kosovës që ishin bashkuar në Camden, për t’i shpëtuar dhunës rajonale të shtëpisë së tyre.

Si shumë emigrantë të tjerë, prindërve të Dua Lipës iu duhej të punonin në bare dhe restorante, madje të bënin disa punë njëkohësisht dhe natën të ndiqnin shkollën.

Dua Lipa lindi tre vite më vonë.

Në moshën 9-vjeçare, ajo filloi t’i kalonte të shtunat në shkollën e teatrit Sylvia Young, në të cilën kishin qenë pjesë edhe Rita Ora, Tom Fletcher dhe Amy Winehouse. Pas disa leksioneve, një nga mësuesit e muzikës e dërgoi në një klasë më të avancuar.

“Ai ishte personi i parë që më tha se mund të këndoja”, tregon Dua.

“Rolling Stone” shkruan se ajo thotë se u rrit duke e ditur se Londra ishte vendlindja e saj, por jo shtëpia.

Me situatën e refugjatëve, njerëzit nuk e kuptojnë se nuk do largoheshin nga vendi i tyre nëse s’do ishte e nevojshme. Plani ishte gjithnjë që të ktheheshim në Kosovë.”

Në moshën 11-vjeçare ajo dhe familja e saj kthehen në Kosovë.

“Bëra shumë miq dhe ata më prezantuan me muzikë fantastike hip-hop.”

Sidoqoftë, ajo dëshironte të kthehej në Londër, në leksionet e muzikës dhe në mundësitë e mëdha që ndjente se e prisnin atje. Dhe kështu bëri!/ Rolling Stone