“Një hap larg autoritarizmit”, Basha reagon për Indeksin e Demokracisë

Shqipëria renditet në vendin e 79-të në Indeksin e Demokracisë 2019, të publikuar sot nga The Economist, i cili jep një panoramë të situatës së demokracisë në mbarë botën në 165 shtete të pavarura dhe dy territore.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili shprehet se ky Indeks e klasifikon shqipërinë një hap larg autoritarizmit ndërsa radhit edhe shkaqet që sipas tij kanë sjellë këtë përkeqësim.

“Indeksi i Demokracisë i @TheEIU e klasifikon Shqipërinë regjim hibrid një hap larg autoritarizmit, për shkak të mungesës së një qeverie funksionale, parregullsive në zgjedhje, korrupsionit të lartë, sundimit të dobët të ligjit dhe mungesës së drejtësisë së pavarur.

‪Shqipëria shënoi përkeqësim duke rënë nga vendi i 76 në vendin e 79-të. Nismat ligjore për të penguar lirinë e shprehjes synojnë që të manipulojnë dhe të mbajnë të fshehura të vërtetat e gjendjes së keqe ku ka katandisur kjo qeverisje vendin”, shkruan Basha.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi; funksionimi i qeverisë; pjesëmarrja politike; kultura politike; dhe liritë civile. Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “demokraci e plotë”, “demokraci në lulëzim”, “regjim hibrid” ose “regjim autoritar”.

Shqipëria vijon të bëjë pjesë në regjimin e demokracisë hibride, me një pikëzim që ishte 5.89 në vitin 2019 (sa më i ulët indeksi aq më e ulët demokracia). Në raport me një vit më parë, kur treguesi ishte 5.98 ka një përkeqësim, çka ka bërë që Shqipëria të zbresë me tre vende (nga i 76-i që ishte një vit më parë). Ky është niveli më i ulët i demokracisë, që nga viti 2014, sipas të dhënave historike të publikuara nga The Economist.

Përkeqësimi ka ardhur si rrjedhojë e zbritjes në kategorinë e “pjesëmarrjes politike”, që kishte një pikëzim prej 4.44, nga 5.56 që ishte një vit më parë.  Më mirë Shqipëria renditet në kategorinë e “lirive civile”, me 7.65 pikë, e ndjekur nga “procesi zgjedhor dhe pluralizimit” me 7 pikë, funksionimi i qeverisë (5.36) , kulura politike (5) dhe në fund pjesëmarrja politike (4.44). në këtë tregues të fundit të pjesëmarrjes politike, Shqipëria është në nivele të njëjta me shtete të tilla si Hondurasi, Butani, Guatemala, Haiti, shkruan Monitor.