Nis rrugëtimin edicioni i 83-të i kampionatit kombëtar të futbollit Kategoria Superiore/ Do të quhet “Abissnet Superiore”

Ka nisur rrugëtimin dje edicioni i 83-të i kampionatit kombëtar të futbollit Kategoria Superiore, që duke nisur nga ky sezon e për tre edicione me radhë do të quhet “Abissnet Superiore”.

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni për nisjen e sezonit të ri në fillim të ndeshjes Teuta-Partizani, sfida e parë e kampionatit që u zhvillua në “Elbasan Arena”.

Në prolog të sfidës ish-kapiteni Renato Arapi shkelmoi topin e parë. Futbollisti kaq i dashur për tifozerinë durrsake dhe jo vetëm, vendosi të varë “këpucët në gozhdë” pas aventurës europiane me “Djemtë e Detit”.

Arapi do të mbetet gjithmonë në zemrat e tifozëve durrsakë. Ai fitoi gjithçka me këtë fanellë duke qenë edhe një inspirim për brezin e ri. Renato fitoi me Teutën jo vetëm një Kupë të Shqipërisë, një superkupë dhe titullin kampion, por edhe dashurinë dhe mirënjohjen e popullit durrsak.

Gjithashtu, ky sezon nisi do të sjellë risi të rëndësishme, duke filluar që nga implementimi për herë të parë i sistemit VAR në të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore.

FSHF arriti brenda një kohe të shkurtër që të përgatisë të gjithë logjistikën e duhur dhe trajnimin e stafit dhe gjyqtarëve, duke qenë gati në kohë për nisjen e sezonit.

Ndeshja Teuta-Partizani, përveçse ngriti siparin e kampionatit do të hyjë në histori si sfida e parë që u luajt me sistemin VAR në fushë.

Ndërkaq, risi tjetër është firmosja e marrëveshjes 3-vjeçare mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë së internetit “Abissnet”, që do të jetë sponsor i Kategorisë Superiore. Duke nisur nga ky edicion e në tre vitet e ardhshme, përkatësisht, 2021-2022, 2022-2023, 2023-2024, ky kompeticion nuk do të quhet më Kategoria Superiore, por “Abissnet Superiore”.

Një hap i rëndësishëm i lidhur mes institucionit të vetëm të futbollit në vend dhe kompanisë së njohur ka si qëllim të sigurojë të ardhura shtesë për klubet e futbollit dhe që është bërë në shembullin e kampionateve më të mira europiane.

Java e parë e “Abissnet Superiore”, vijoi sot me ndeshjet Tirana –Skënderbeu, Egnatia –Kukësi, Kastrioti – FK Dinamo dhe Laçi –Vllaznia.