Nis Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes, Ministrja Ibrahimaj: Synim, forcimi i bashkëpunimit me qëllim zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit

Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes ka nisur sot dhe do të zhvillohet në datat 13-19 nëntor 2023 përmes organizimit të mbi 60 aktiviteteve në katër qytete të Shqipërisë, Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Vlorë.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në eventin hapës të Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes, i cili u zhvillua në ambientet e Piramidës, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të biznesit dhe parterëve ndërkombëtarë që mbështesin këtë iniciativë të rëndësishme.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e organizimit të Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të një sërë aktorëve të ndryshëm, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përmirësimit të klimës së biznesit.

Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes, tha Ministrja Ibrahimaj, synon të shërbejë si një tryezë diskutimi ku të gjithë të shprehin mendimet e tyre pa rezerva, të identifikojnë sfidat dhe të ndër veprojnë së bashku në mënyrë që këto sfida t’i kthejnë në avantazhe konkurruese.

Në një kohë që ekonomia e vendit po performon pozitivisht, ku teknologjia e inovacioni dhe dixhitalizimi janë zhvilluar në nivele të larta, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi nevojën e krijimit të infrastrukturës së duhur për t’i përdorur këto zhvillime sa më mirë të jetë e mundur për ekosistemin ekonomik të vendit.

“Kjo javë do t’i japë mundësinë sipërmarrësve dhe bizneseve të vogla të flasim për mënyrat se si mund të rritet një biznes, se i nëpërmjet inovacionit mund të zhvillohet dhe mund t’i shërbehet ekosistemit ekzistues ekonomik, se si start up-et mund të bashkëveprojnë më mirë me bizneset ekzistuese, si start up-et duhet të krijojnë ide për zhvillimin e atyre sektorëve strategjikë që tashmë Shqipëria ka dhe atyre sektorëve që kanë potencial më të lartë qoftë për zhvillim vendas, qoftë për ndërkombëtarizim. Gjatë kësaj Jave, start up-et do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre, publikut të gjerë dhe atyre bizneseve të cilët kanë kapitale për të investuar”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Po ashtu, sipas Ministres, nisma e Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes do krijojë mundësinë që organizatat mbështetëse të biznesit, inkubatorët, përshpejtuesit, dhomat e tregtisë dhe organizata të tjera mbështetëse të shfaqin ekspertizën dhe vizionin e tyre për sfidat aktuale, si burimet njerëzore, rritja e produktivitetit apo ndërkombëtarizimi i ekonomisë.

“Kjo Javë do t’i shërbejë më së miri Qeverisë dhe politikëbërësve, të cilët do të kenë afër të gjithë komunitetin e sipërmarrjes, me synim diskutimin rreth zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e standardeve dhe shërbimeve që qeveria ofron për ta”, tha Ministrja Ibrahimaj.

Gjatë Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes do të zhvillohensesione të dedikuara, me fokus në:

Sipërmarrës, Startup-e dhe Biznese (zhvillimi i biznesit përmes E-Commerce; zhvillimi i Modeleve të Inteligjencës Artificiale në gjuhen shqipe; siguria kibernetike – Si duhet të mbrohen SME-të shqiptare nga rreziqet e ditëve të sotme: ndërmarrjet e Gjelbra dhe mbështetja e Start-ups në Turizëm dhe Agropërpunim në Shqipëri”; Mbrojtja e biznesit përmes pronësisë intelektuale)

Ekosistemi (Financimi i NVM-ve dhe startup-ve shqiptare; Sfidat e Personelit dhe Automatizimi në Industrinë e Turizmit; Siguria kibernetike – Si duhet të mbrohen SME-të shqiptare; Sfidat e informalitetit në ekonomi; Ndikimi i Diasporës në Zhvillimin e Sipërmarrjes Shqiptare)

Politikat e zhvillimit gjithëpërfshirës (Gratë në Sipërmarrje-Histori Suksesi nga Shqipëria; Zhvillimi Rajonal; Rritja e konkurrencës së SME-ve dhe integrimi i zinxhirit të vlerës; Hartimi i praktikave të mira kundër korrupsionit në bizneset e huaja në Shqipëri dhe më gjerë; Sektori bankar dhe Fintech në Shqipëri)

Përmirësimi i Klimës së Biznesit (Vizita në Biznese të suksesshme shqiptare në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë; Diskutime virtuale me përfaqësues të bizneseve rurale; Diskutime për industrinë kreative; Strategjitë për rritje të Start-up-ve).

Fjala e Ministres – Ceremonia e hapjes së Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes në Shqipëri 2023

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Faleminderit Esmerina për hyrjen,

Në fakt unë kam pasur rastin dhe shansin që Esmerinën, por edhe të rinj të tjerë si ajo, t’i takoj në disa evente prezantuese të aktiviteteve të tyre, të produkteve të tyre dhe të sipërmarrjes së tyre. Por, në të gjitha rastet, eventet kanë qenë të lokalizuara dhe ka pasur vetëm përfaqësim start up-esh dhe të qeverisjes qendrore.

Nëpërmjet Javës Globale të Sipërmarrjes, që për herë të parë në Shqipëri vjen me këtë dimension dhe këtë numër aktivitetesh, ne synojmë diçka tjetër. Ne synojmë që të sjellim bashkë të gjithë aktorët që duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar ekosistemin, për të bërë të mundur ëndrrën e Esmerinës dhe shumë të rinjve të tjerë, që tregu të zhvillohet, që ne të kemi akses në tregun shqiptar, në tregun rajonal dhe në atë ndërkombëtar. Ai mund të zhvillohet vetëm nëse ne të gjithë bëhemi bashkë dhe e kam fjalën për politikëbërësit; për bizneset e mëdha të cilat kanë nevojë dhe kapitale që duan aktivizuar; për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që në rrugëtimin tonë 30 vjeçar na kanë shoqëruar dhe na kanë ndihmuar të përballojmë të gjitha sfidat; për botën akademike dhe të gjithë universitetet; apo arsimin dhe aftësimin profesional, që formësojnë të ardhmen duke formësuar dijen dhe duke formësuar aftësitë për të ardhmen, por duke formësuar edhe ide novatore që do t’i shërbejnë të ardhmes. Pra, të gjithë aktorët e heliksit të 4-fishtë apo 5-fishtë e mbase pas disa vitesh do të bëhet dhe i 6-fishtë.

Unë do të doja që kjo javë të shërbente si një tryezë diskutimi mendje hapur ku të gjithë të shpalosin mendimet e tyre pa pasur rezerva dhe pa pasur mendime negative, duke nxitur zhvillime pozitive, duke identifikuar sfidat dhe duke punuar së bashku për se si këto sfida ne mund t’i kthejmë në avantazhe konkurruese.

Shqipëria sot është në një moment që unë do ta vlerësoja si një moment emocionues përsa i përket zhvillimit ekonomik. Ne jetojmë në një kohë ku teknologjia e inovacionit dhe dixhitalizimi kanë arritur në nivele të larta dhe ne duhet të krijojmë infrastrukturën e duhur për t’i përdorur këto zhvillime sa më mirë të jetë e mundur për ekosistemin tonë ekonomik.

Shqipëria sot ka një zhvillim të madh, një bum të madh të sektorit të ndërtimit, i cili ka nevojë që të ketë një drejtim ku ndërtesat të jenë sa më inteligjente, ku qytete të jenë sa më të gjelbra, pra dhe ndërtimet të kenë vizionin e gjelbër.

Ne sot kemi akses në tregjet ndërkombëtare, që është një avantazh i jashtëzakonshëm për shumë prej kompanive e shumë prej kompanive që sot ekzistojnë në Shqipëri janë duke e shfrytëzuar këtë avantazh të jashtëzakonshëm. E megjithatë, tregjet ndërkombëtare do të paraqesin dhe një sfidë të madhe në rrugën tonë drejt integrimit europian, pasi shumë nga bizneset shqiptare do t’i përballin me një sfidë të madhe që është konkurrenca “e egër”. Pra, të gjithë ato kompani të cilat nuk janë përballur ende me tregjet ndërkombëtare do të duhet të rrisin produktivitetin e tyre, do të duhet të inovohen, me qëllim që të hyjnë të barabarta në këto tregje. Po ashtu, edhe sa e sa sfida të tjera në sektorë të ndryshëm, si sektori i turizmit. Vitet e fundit ne kemi pasur bum në numrin e turistëve, por zhvillimi i turizmit dhe zhvillimi i shërbimeve cilësore kërkon modernizim, kërkon automatizim, kërkon burime njerëzore të kualifikuara.

Janë të gjitha këto tema që edhe në kuadër sektorial, por edhe në kuadër horizontal, do të preken gjatë eventeve të Javës që po fillon me eventin e sotëm.

Para një muaji, kur dy bashkëpunëtorët e mi më paraqitën planin për organizimin e Javës Globale të Sipërmarrjes, në fakt nuk isha shumë entuziaste. Mendoja se do ishte gati e pamundur që ne mund të bënim bashkë kaq aktorë dhe të mund të organizonim tryezat e duhura dhe të sillnim bashkë ato lojtarë të ndryshëm të tregut që të mund të jepnin kontribut. Por, me bashkëpunimin e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë, lokalë, me pjesëmarrjen e biznesit, pra të sektorit privat, akademisë dhe të gjithë atyre aktorëve që unë përmenda edhe më parë, ne bëmë të mundur koordinimin e organizimit të 60 eventeve në 4 qytete të ndryshme, pasi ne synojmë që rritja, dialogu, energjizimi i rritjes ekonomike të jetë gjithëpërfshirës. Ne synojmë që të kemi një fokus rajonal në zhvillimin ekonomik, ne synojmë që të kemi një fokus gjinor në zhvillimin ekonomik, ne synojmë që të angazhojmë të rinjtë sa më shumë të jetë e mundur të zhvillimin ekonomik dhe kjo është arsyeja pse dhe eventet, por edhe Java, por dhe strategjia e sipërmarrjes me të cilën ne po punojmë, tashmë do të ketë të gjithë këto komponentë pasi vetëm duke shfrytëzuar të gjitha burimet që ne kemi mund të arrijmë të marrim maksimalisht atë që e ardhmja na ka rezervuar.

Dua të falënderoj shumë të gjithë partnerët tanë, janë 35 partnerë të cilët janë bërë pjesë e Javës Globale të Sipërmarrjes në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj projektin EU for Innovation, nëpërmjet dy agjencive implementuese SIDA dhe GIZ, patjetër BE i cili ka vënë dispozicion fondet e EU For Innovation që nuk mbështet vetëm këtë numër eventesh, por dhe të gjithë politikat e qeverisë në drejtim të inovacionit dhe në drejtim të zhvillimit të tij, në drejtim të mbështetjes së start up-eve.

Dua të falënderoj Protik dhe Destil që do të shërbejnë si lokacione ku do të zhvillohen shumë nga aktivitetet interesante të kësaj jave.

Dua të falënderoj Fondin Shqiptar të Zhvillimit, nëpërmjet të cilit dhe në bashkëpunim me të ne po organizojmë të gjitha eventet nëpër rajone, por dhe të gjithë bizneset private që janë bashkuar nismës sonë.

Së fundmi, dua të falënderoj të gjithë dhomat e biznesit dhe shoqatat, që kanë mundësuar jo vetëm pjesëmarrjen nëpër aktivitete dhe organizimin e tyre, por janë e bindur që në vijim të punës sonë të përbashkët do të ndjekin me kujdes të gjithë ato diskutime që do të bëhen gjatë javës dhe së bashku do të mund të hartojmë politika apo ndryshme që do t’i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët, zhvillimit ekonomik.

Dua të theksoj se kjo javë do t’i japë mundësinë sipërmarrësve dhe bizneseve të vogla, të flasim për mënyrat se si mund të rritet një biznes, sesi nëpërmjet inovacionit mund të zhvillohet dhe mund  t’i shërbehet ekosistemit ekzistues  ekonomik, se si start up-et mund të bashkëveprojnë më mirë me bizneset ekzistuese, si start up-et duhet të krijojnë ide për zhvillimin e atyre sektorëve strategjikë që tashmë Shqipëria ka dhe atyre sektorëve që kanë potencial më të lartë qoftë për zhvillim vendas, qoftë për ndërkombëtarizim.

Pra, gjatë kësaj Jave start up-et do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre, publikut të gjerë dhe atyre bizneseve të cilët kanë kapitale për të investuar dhe për momentin mund të jenë edhe të fjetura.

Gjatë Javës do të ketë mundësi për studentët të njihen nga afër me sipërmarrës të suksesshëm dhe pse jo të zhvillojnë urat e tyre të bashkëpunimit, qoftë si një mundësi për praktikë profesionale apo punësim, apo si një mundësi për një ide të re biznesi, për të parë dhe për të diskutuar se si disa biznese janë bërë shumë të suksesshme vetëm falë punës dhe falë vizionit, i cili nuk i ka lënë kurrë.

Sigurisht që biznesi në ciklin e vet ka ulje dhe ka ngritje, por të rinjtë sot duhet të frymëzohen nga objektivi dhe nga vizioni, nga mundësia që ekonomia sot ofron për ta.

Gjatë kësaj Jave, Organizatat Mbështetëse të Biznesit, inkubatorët, përshpejtuesit, dhomat e tregtisë dhe organizata të tjera mbështetëse do të kenë mundësi të shfaqin ekspertizën dhe vizionin e tyre për ato sfida që ne kemi aktualisht, burimet njerëzore, rritja e produktivitetit apo ndërkombëtarizimi i ekonomisë.

Investitorët e mundshëm do të kenë mundësi të flasin për nevojat, për potencialet, për barrierat, dhe se si ato mund të mobilizojnë kapitalet e tyre.

Kjo Javë do t’i shërbejë më së miri Qeverisë dhe politike bërësve, të cilët do të kenë afër të gjithë komunitetin e sipërmarrjes, me synim diskutimin rreth zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e standardeve dhe shërbimeve që qeveria ofron për ta.

Të dashur miq,

Siç mund ta keni kuptuar dhe nga fjala ime, na pret një javë emocionuese dhe besoj që do të jetë edhe frytdhënëse.

Ajo që do ta kërkoja nga të gjithë ju që jeni prezent në sallë, por edhe ato që nuk janë prezent, është përfaqësimi juaj në sa më shumë evente, dhënia e mendimit në mënyrë të lirshme pasi vetëm nëpërmjet diskutimit me njëri-tjetrin ne do të arrijmë të ndërmarrim hapat e duhura që do të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen.

Jam e bindur që në fund të kësaj jave, ku do të kemi eventin përmbyllës, do të kemi shumë më shumë për të thënë.

Faleminderit.