Nis gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiç. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës j...

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiç. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të cilën e drejtoi kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiçit është paraqitur Zharko Gajiç.

Prokurorja Habibe Salihu tha se i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.

“U vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Çedomir Aksiç, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosjen e popullatës civile për shkaqet që lidhen me konfliktet e luftës, drejtuar me qëllim kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, tha Salihu derisa lexoi aktakuzën ndaj Çedomir Aksiçit.

Sipas aktakuzës, adresa e Aksiçit, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykimin ndaj tij, është në Naupare-Krushevac në Serbi, ndërsa vendi i lindjes është në Shtime. “Në këto momente nuk do të shtoj asgjë derisa t’i shqyrtoj të gjitha provat në afat prej 30 ditësh”, tha mbrojtja e Çedomir Aksiçit, avokati Zharko Gajiç, pasi dëgjoi aktakuzën e lexuar nga prokurorja.

Në fund të seancës, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani-Hajra, e udhëzoi mbrojtësin e të akuzuarit që të paraqesë kërkesën për të hedhur poshtë aktakuzën apo për t’i kundërshtuar provat, në një afat prej 30 ditësh.