Nis gara për drejtues në Teatrin Kombëtar

Tre kandidatët në garë për drejtimin e Teatrit Kombëtar prezantuan platformat e tyre. I katërti, aktori Arben Derhemi edhe pse u paraqit në Ministrinë e Kulturës nuk prezantoi duke humbur 40 pikë nga 100.

Altin Basha, Elma Doresi dhe Kiço Londo përafroheshin në pikat themelore të platformës për promovimin e dramaturgjisë shqipe, ndërkombëtarizimin e institucionit dhe rritjen e cilësisë së shfaqjeve.

“Çështja është të rishikohen formulat e menaxhimit dhe nga ana tjetër një marrëveshje e re me shtetitn për aspekte të caktuara të buxhetit”, tha regjisori Altin Basha.

“Drama shqipe është rritja e produksioneve të mëdha të Teatrit Kombëtar dhe zbatimit të kontratave”, u shpreh Elma Doresi.

“Duke futur fatin e fëmijëve dhe të gjuhës shqipe kryesishtpërmes dramës shqipe, i japim këtij teatri një teh futurist”, tha Kiço Londo.

Elma Doresi është e vetmja që zotohet se nëse merr detyrën e drejtueses nuk do të vë asnjë shfaqje të saj përgjatë mandatit katërvjeçar.

Deri më tani posti drejtues në Teatrin Kombëtar e ka mbajtur Hervin Çuli, që prej 2014-ës, ndërsa javën e ardhshme pritet të zgjidhet emri i ri.

Për këtë proces është ngritur një juri pre 6 personash mes tyre edhe dy aktorët e mirënjohura Luiza Xhuvani dhe Raimonda Bulku.