Më 18 shtator në vend do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave. Gjatë aktivitetit për këtë punë, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një nismë shumë e rëndësishme. “Nis Censi i Popullsisë dhe Banesave, numërimi i të gjithë popullsisë dhe banesave, operacioni më i rëndësishëm statistikor për të lexuar të sotmen dhe zhvilluar të ardhmen e Shqipërisë”,-tha Rama.
Po ashtu Rama tha se INSTAT tashmë është çliruar nga politika dhe sa vjen e bëhet më profesionale përkunder të kaluarën e hidhur ku fshikullohej nga ndërkombëtarët për statistika të pabesueshme.
“INSTAT sot është tërësisht i çliruar nga politika. Nuk merret më me çoka politike dhe as nuk përgatit limonta me rritje dyshifrore të Shqipërisë me zhvillimin më të shpejtë në botë diku aty pak hapa prapa Kinës dhe as nuk bëhet shkak që Shqipëria të fshikullohet për statistika të pabesueshme siç ndodhte në të shkuarën”.